Paralajmërimi i KE: Çmimet e energjisë do të shtojnë varfërinë

Çmimet e energjisë në vendet e Bashkimit Europian po arrijnë një nivel aq të lartë sa vetëm të pasurit do të mund t’i përballojnë. Paralajmërimi vjen nga Komisioneri Europian për Tregun e Punës, Nikolas Shmit, i cili në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, thotë se kjo rritje e jashtëzakonshme do të shtojë varfërinë mes familjeve europiane.

Parashikohet që këtë dimër, minimalisht 2.7 milionë njerëz në mbarë unionin, gati 1% e popullsisë nuk do të mund t’i hapin dot fare kaloriferët për t’u ngrohur. Shumica e banesave në vendet europiane kanë sistem qendror ngrohjeje me gaz.

Çmimi i gazit në Europë është rritur me 600%, që prej fillimit të vitit dhe kjo ndikon drejtpërdrejt tek faturat e papërballueshme për familjet, përpara një dimri të acartë.

Rezervat europiane të gazit, në dallim nga vitet e tjera janë të mbushura në nivelin 75%. Zyrtarët europianë ia venë fajin Rusisë, që po furnizon me ritme të ngadalta tregun europian, pasi kërkon që të aktivizojë gazsjellësin NordStream 2 që transporton gazin nga Rusia në Gjermani por që kundërshtohet ashpër nga aleatët e NATO-s.

Sipas tyre, NordStream 2 e vendos unionin në varësinë energjitike të Rusisë. Moska ka paralajmëruar se do të mbyllë plotësisht tubacionet që kalojnë nga Ukraina dhe gradualisht do të ulë transportin nga Bjellorusia. E teksa 90% të gazit e importon, Bashkimi Europian ka në plan ta shkëpusë energjinë një herë e mirë nga burimet fosile, duke e kaluar tek energjia e gjelbër. 

Tv Klan