Publikohet varianti i PS për Reformën Zgjedhore

Publikohet varianti i PS për Reformën Zgjedhore

13:03 23/10/2019

Ekspertet e maxhorancës kanë gati draftin paraprak mbi të cilin anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore do të diskutojnë në mbledhjen e ditës së enjte. Në këtë dokument, i cili nuk ka ndryshime thelbësore nga drafti që shumica hartoi një vit më parë, janë parashikuar  përfshirja  në kodin zgjedhor të ndryshimeve që rekomandohen nga OSBE/ODIHR. Amendimet janë përqendruar në financimin e partive politike, barazinë gjinore, administratën publike si dhe monitorimin e fushatave zgjedhore. Sa i takon financimit të partive gjatë fushatave zgjedhor apo jo, i janë dhënë shumë kompetenca KQZ për të monitoruar përdorimin e të ardhurave nga partitë politike, por dhe aktivitet e tyre elektorale.

“Institucionet publike, janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë.”

Sa i takon shitblerjes së votës ashtu si në draftin e një viti me parë është menduar që të ketë një deklaratë tip të hartuar nga KQZ ku kryetaret e partisë angazhohen të mos përfshihen në afera të tilla.

“Deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet.”

Është menduar qe t’i vendoset fre precedentëve të Lezhës dhe Beratit, ku kandidatet gra pas presioneve hoqën dorën nga mandatet duke ua lënë mandatin Arben Ndokës dhe Astrit Veliajt.

“Kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67 të këtij Kodi, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë. Në rastin e partisë politike që ka konkurruar e vetme në zgjedhje dhe kur vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar atëherë partia politike ndëshkohet nga KQZ-ja me gjobë në shumën 2 milion lekë”.

Në amendimet që propozojnë ekspertët e komisionit të reformës zgjedhore parashikohet që“Votim për të tretët” përfshirë dhe votimi familjar është i kundërligjshëm dhe dënohet sipas Kodit Penal, nga 1 deri 3 vjet burg.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi