Qeveria do të marrë 30 milion dollarë kredi nga Fondi Saudit për Zhvillim me qëllim rimodelimin e 10 kilometrave që lidhin rrugën e plazhit të Vlorës duke nisur nga pika e Ujit të Ftohtë deri në Orikum.

Projekti do të shërbejë jo vetëm për të rikonstruktuar pjesën e segmentit ku kalojnë automjetet, por dhe për të krijuar një hapësirë të dedikuar për këmbësorët duke i ngjarë vijimit të Lungo Mares.

Rikonstruksioni do të përfshijë edhe përshtatjen e hoteleve ekzistuese dhe zonave të shërbimeve të plazhit sipas standardeve të duhura, ndërsa do të ketë prishje të ndërtimeve informale që janë bërë gjatë viteve në këtë zonë.

Sipas një vlerësimi të hartuesve të projektit, ky rikonceptim i kësaj zone do të prekë 143 mijë banorë dhe biznese që operojnë përreth saj dhe do të afektojë mbi 500 mijë të tjerë që mund të jenë turistë ose pushues në këtë rrugë. I gjithë projekti parashikohet të përfundojë në vitin 2023.

Qeveria do të niste më parë zbatimin e tij, por presidenti Ilir Meta nuk autorizoi Ministrinë e Financave që të bënte devijimin e fondeve të kredisë së dhënë nga Fondi Saudit për rrugën e Lumit të Vlorës, çka po detyron ekzekutivin që të ndjekë procedurë të rregullt duke depozituar marrëveshjen e huasë në kuvend.

Tv Klan