Sponsorizime pa TVSH, jo doganë për pajisje

Ministria e Arsimit, sportit dhe Rinisë, ka përfunduar hartimin e projektligjit që parashikon ndryshime tejet të rëndësishme në ligjin e Sportit, veçanërisht pjesës që i takim financave.

Sikurse thuhet në relacionin shoqërues që është gati për konsultim publik, ky projektligji synon ndryshimin e pikave 5 dhe 6 të nenit 7 të ligjit nr. 79/2017, që do të sjellin përjashtimin nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar të ndihmave apo sponsorizimeve me materiale dhe pajisje sportive për klubet sportive, të cilat vijnë nga institucione ndërkombëtare apo çdo formë tjetër sponsorizimi, që kanë për qëllim nxitjen dhe rritjen e nivelit të sportit shqiptar në rang ndërkombëtar.

Gjithashtu, në këtë projektligj parashikohet që të ardhurat e përfituara nga e drejta e transmetimit audioviziv t’u kalojnë organizatorëve të veprimtarive sportive në masën 100%.

Një masë për mbarëvajtjen e garave sportive në stadiume apo arena të tjera është edhe ajo e “Kartës së Tifozit”, e cila është parashikuar si një marrëveshje kontraktuale midis tifozëve dhe klubeve. Në të, do të përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e klubeve ndaj tifozëve dhe anasjelltas.

Gjithashtu, edhe sanksionet lidhur me rastet e shkeljes së kësaj marrëveshjeje. Karta do të shërbejë edhe si faktor lehtësimi për pajisjen me bileta. Sipas relacionit, buxheti i shtetit nuk do të ndikohet nga ndryshimet e këtij ligji.

Tv Klan