Gati nisja e projektit për marinën e re të Durrësit



Gati nisja e projektit për marinën e re të Durrësit

15:46 10/01/2021

Qeveria shqiptare nis diskutimet me “EMAAR Group”

Pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes, për transformimin e Portit të Durrësit, në një ndër portet turistike më të mëdha në Adriatik, qeveria shqiptare nisi bisedimet zyrtare me përfaqësues të kompanisë “EMAAR”. Një delegacion nga Shqipëria ndodhet në Emiratet e Bashkuara dhe ka zhvilluar diskutime me përfaqësues të kompanisë për ndërtimin e Marinës së Durrësit.

Biznesmeni dhe sipërmarrësi i Emaar Grup,  përfaqësuar nga Muhammed El Alabbar, i njohur edhe si ndërtuesi dhe pronari i gradaçelës më të lartë në botë në Dubai, Burj Khalifa shprehet besimplotë se investimi i tij do të ndikojë në cilësinë e jetës, duke e kthyer Durrësin në një ndër atraksionet më të bukura në Adriatik.

“Besoj vërtet se mund të krijojmë një nga mjediset më të bukura në Adriatik për shumë e shumë vite të ardhshme dhe të ngrihet cilësia e jetesës në një nivel të arsyeshëm”.

Alabar vlerëson ecurinë e deritanishme të marrëveshjes me palën shqiptare dhe thotë se ky projekt i realizuar nga  kompania “Emaar” do të frymëzojë edhe investitorë të tjerë për të ardhur në Shqipëri.

 “T’i shtyjmë të vijnë të investojnë dhe krijojnë vende pune dhe një jetë të re, teksa ecim përpara.  Po përparojmë me diskutimet tona, me marrëveshjen, nën marrëveshjen ndërshtetërore që është firmosur nga Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kjo na jep një kuadër të mirë për të ecur më shpejt në marrëveshjen tonë dhe në investimin tonë në Durrës dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, pra gjërat po shkojnë mire.”

Investimi prej 2 miliardë Euro që do të bëhet i gjithi nga kompania “EMAAR” do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, që do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie. Sipas sipërmarrësit realizimi i këtij projekti do të frymëzojë edhe investitorë të tjerë për të ardhur në Shqipëri.

Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku, pjesë e delegacionit që ndodhet në Emiratet Arabe thotë se ky investim nga “Emaar Group” e rendit Shqipërinë mes vendeve që tanimë mund të ofrojë edhe turizëm elitar.

“Për Shqipërinë e është një vlerë e shtuar na vendos në një rang komercial që se kemi pas deri me sot, por ka qenë turizëm i lidhur me detin me malin dhe do i krijojmë shqip një mundësi tjetër për t’u ekspozuar në turizmin elitar, sidomos e marinave”.

Sipas Ministrit Ahmetaj projekti që pritet të nisë në aspektin procedural në muajin mars do të rrisë njëherazi punësimin dhe numrin e vizitorëve në Shqipëri.

“Do jetë objekt punësimi dhe destinacion turistik dhe shembull për gjithë rajonin”

Pavarësisht se Porti i ri i Durrësit do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, është rënë dakord që terminali i pasagjerëve të qëndrojnë në Marinën  e Durrësit.

Tv Klan






Të ngjashme