Rama: Nëpunësi dixhital një revolucion, do krijojmë administratë hibride

Këta të rinj do t’i cilësonte kontributorë të gatshëm, që duan t’i bashkohen në përpjekjet e mandatit të tij të tretë qeverisës. Interesit të nismës “Gati për Shqipërinë”, të shpallur prej tij i janë bashkuar më shumë se 349 aplikantë nga mbarë bota, profesionistë të diplomuar në fusha të ndryshme.

Idetë dhe vizionin e tyre, Edi Rama i sheh si vlerë e shtuar, veçanërisht në disa sektorë të shpallur prioritet nga qeveria e tij. Ambicioze sheh projektet që i vijnë në ndihmë dixhitalizimit dhe modernizimit të shërbimeve.

“Sa më shumë ju dëgjoj, aq më shumë bindem të elaborojmë konceptin nëpunësin digjital. Sepse mund të bëjmë një revolucion, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, duke krijuar një administratë hibride”, tha Rama.

Pati edhe nga ata të cilët kontributin e tyre u shprehen të gatshëm ta ofrojnë duke u rikthyer në Shqipëri.

“Nëse do të vish në Shqipëri, hajde nesër, do të fusim në shërbim. Nëse do të bëjmë gjysmën e këtyre që folëm sot do të ishte një fitore e madhe”, u shpreh kreu i qeverisë

Platforma “Gati për Shqipërinë”  është në dispozicion të të gjithë atyre që kanë studiuar me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri. Në muajin Maj kryeministri Rama ftoi studentët ekselentë të përfshihen drejtëpërdejtë në punët e mëdha të Mandatit të Tretë qeverisës.

Tv Klan