Zëvendës ministrja e Arsimit, njëherësh dhe koordinatorja e projektit “Gati për Shqipërinë”, Bora Muzhaqi, ka dhënë detaje lidhur me aplikimet që kanë bërë të rinjtë që jetojnë jashtë dhe kanë dëshirë që të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

 Muzhaqi në një konferencë për mediat u shpreh se janë 701 aplikime, ku 51% e aplikuesve jetojnë jashtë dhe 49% e tyre jetojnë në Shqipëri, por kanë bërë studime të ndryshme jashtë shtetit.

Po ashtu zëvendës ministrja tha se po bëhet gati një plan për të pasur një administratë dixhitale.

“Janë regjistruar 701 aplikime në fusha të ndryshme. Nga të dhënat më të fundit 51% e aplikuesve jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër banon në Shqipëri por që kanë pasur eksperienca të ndryshme jashtë shtetit. Deri tani kemi zhvilluar 17 sesione dëgjesash, ku jemi njohur me 70 të aplikimeve.

Jemi duke planifikuar dhe një draft reformë për një administratë hibride, ku një pjesë të punojë online. Mandati i tretë do të jetë një hop shumë i madh në këtë drejtim, dhe do të krijohet një shërbim prioritar për të rinjtë”, tha Muzhaqi./tvklan.al