Autoritetet thirrje të prekurve për dhurim vullnetar

Ashtu si disa vende të tjera, edhe Shqipëria do të nisë trajtimin me plazmë për të infektuarit nga covid.

Procedura e nisjes së terapisë është gati dhe tashmë ka nisur krijimi i bankës së plazmës.

Përgatitjet po bëhen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, dy spitaleve universitare, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Kjo terapi do të përdoret për ata të infektuar që janë në spitale. Për të krijuar bankën e gjakut, nevojitet dhurim vullnetar nga ata që e kanë kaluar sëmundjen.

Një 30-vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar, në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë teksa apeloi për më shumë dhurime, theksoi se procesi është i sigurt.

Disa vende, si Gjermania, Franca, Anglia, Spanja, Italia, Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda e të tjerë kanë njoftuar se po trajtojnë pacientë nëpërmjet injektimit të plazmës apo po e konsiderojnë ta implementojnë këtë terapi në të ardhmen. Deri tani ajo është konsideruar si një ndër kurat më efikase për të luftuar virusin.

Tv Klan