Brenda pranverës qeveria do të ketë gati studimin për ndërtimin e aeroportit në qytetin e Sarandës, i cili më pas do të jepet për kompanitë të cilat do të shprehin interes për ta ndërtuar atë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha nga Saranda, se aeroporti do të jetë për qëllime turistike dhe do të ndihmojë edhe pasagjerë të cilët kanë destinacion Korfuzin, i cili tashmë i ka të shitura të gjitha fluturimet e sezonit.

 “Brenda pranverës do të përfundojmë studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës, një aeroport turistik që unë kam bindjen se do të jetë një nyje e rëndësishme që nuk do ti shërbejë vetëm Sarandës por edhe Korfuzit pasi aty janë konsumuar të gjitha mundësitë për fluturim”.

Përpara se të nisë edhe sezoni turistik, do të përfundojë rruga hyrëse në qytetin e Sarandës. Vonesat për të erdhën pasi në 2017-n nuk ishin parashikuar fonde.

 “Rruga hyrëse e Sarandës do të përfundojë përpara sezonit turistik, duhet thënë se vonesat kanë ardhur për shkak se nuk ishin parashikuar fonde për vitin e kaluar. Janë marrë masat në buxhetin e këtij viti që ajo rrugë të përfundojë dhe të jetë funksionale tashmë me të gjitha parametrat e duhura”.

Projekti i 3-të i paketës 1 miliard Euro rindërtim do të jetë rruga Kardhiq – Delvinë, e cila do të nisë të ndërtohet brenda këtij viti. Ky segment kap një vlerë prej 68 milionë Eurosh dhe do të realizohet me paratë e kompanive private, ku pas përfundimit të veprës, shteti do të nisë shlyerjen e fondeve.

Tv Klan