Gati qeveria e re euroskeptike në Itali



Gati qeveria e re euroskeptike në Itali

19:27 21/05/2018

Giuseppe Conte pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë. Kandidatura e tij iu paraqit zyrtarisht presidentit Serxho Mattarella, nga krerët e dy partive që do të formojnë qeverinë, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini.

Pas thuajse 3 muajsh ngërç politik, Italia arrin të formojë shumicën qeverisëse dhe del me një emër konkret.

Stafeta tashmë i kalon presidentit Mattarella, i cili pritet të mandatojë Giuseppe Conte-n si kryeministër.

Në përfundim të negociatave të gjata, Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord arritën të formojnë kabinetin qeveritar dhe të krijojnë programin qeverisës.

Pas takimit me presidentin, Matteo Salvini tha se askush nuk duhet të ketë frikë, pasi qeveria e ardhshme do të punojë kryesisht për të ulur borxhin publik.

Edhe kreu i Lëvizjes 5 Yjet, Di Maio tha se ekipi është gati, duke pritur vetëm dritën jeshile të presidentit.

Kryeministri i ardhshëm Giuseppe Conte është 54 vjeç. Ai është profesor në universitetin e Firences, në Drejtësi. Prej 2013-ës është pjesë e këshillit drejtues të gjykatës administrative dhe konsiderohet si një ndër juristët më të mirë në Itali. Pjesë e kabinetit do të jenë edhe Salvini e Di Maio, njëri si Ministër i Brendshëm e tjetri i Zhvillimit Ekonomik.

Qeveria e re ka shqetësuar Brukselin, pasi për të parën herë euroskeptikët do të qeverisin ekonominë e tretë më të fuqishme të Eurozonës. Liderët e dy partive euroskeptike kanë paralajmëruar se nuk do të ndjekin më kursin e ashpër europian të kursimit, të cilin ata e fajësojnë se varfëroi italianët.

Tv Klan







Të ngjashme