Rama: Jemi gati edhe në rast të një vale të dytë

Nga universitet deri pak vite më parë, ky është sot spitali më i ri i rikonstruktuar dhe pajisur vetëm brenda pak muajsh, në dispozicion vetëm për të sëmurët me Covid-19.

Pasi vizituan ambientet, Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë nuk japin detajet mbi kostot e këtij investimi, që thonë se është bërë falë zemërgjerësisë së disa sipërmarrësve privatë dhe nga një kapacitet prej 100 shtretërish 50 të pajisur me oksigjen përfshirë dhe terapinë intensive.

“Janë të gjitha të dokumentuara, por për të dhënë emrat në publik sot na duhet edhe miratimi i tyre”.

Rama e quan sukses menaxhimin e pandemisë deri në këtë fazë dhe thotë se qeveria është e përgatitur për një valë tjetër në vjeshtë. Për hapjen, pavarësisht vendimeve të qeverive të rajonit thotë se në kufijtë tanë nuk do kërkohet kryerja e tamponit apo karantinimi.

“Kështu që për sa na takon nuk ka asnjë problem, ne i kemi hapur kufijtë, ne nuk do bëjmë as tampona, as detyrime për vetëkarantinim të atyre që hyjnë. Komplet e kotë”.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk do të shtyhet, por qeveria po shikon mundësinë që akte të posaçme të ketë për zonat e plazheve.

“Për të pasur gjatë sezonit të verës mundësinë që të ushtrojnë fuqinë legjislative të situatës”.

Sjelljen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë përpara Komisionit të Sigurisë lidhur me rastin e dhunës ndaj adoleshentit e cilësoi gabim, por jo arsye për ta shkarkuar nga detyra.

Tv Klan