Kapacitetet e instalimit do të jenë në total 150 megavat

Brenda muajit mars ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapë thirrjen për ndërtimin e disa parqeve që prodhojnë energji nga era në disa zona të Shqipërisë. Projekti bazohet në politikat e zhvillimit të energjive të rinovueshme, për të mos qenë të varur vetëm nga energjia që prodhohet nga uji, por dhe diversifikimi në energji nga dielli dhe era. 

Në total kapaciteti i instalimit të parqeve eolikë për kompanitë që do të shprehin interes për t’i ndërtuar do të jetë 150 MW, ku projektet duhet të propozohen mes një fuqie prej 30 deri në 75 MW.

Në këmbim të investimit për këto impiante, energjia e prodhuar prej tyre do të jetë e blerë kundrejt një çmimi fiks për 15 vjet nga kompania publike e shpërndarjes së energjisë OSHEE.

Çmimi i blerjes së energjisë dhe vlera e investimit të projekteve që do të propozohen, do të zgjidhen mes ofertave që do të paraqiten në ankandet për këto parqe.

Në strategjinë e qeverisë shqiptare janë përzgjedhur si zona prioritare që kanë trysni ere të lartë, veriu i vendit në zonën e Malësisë së Madhe, disa spote në juglindje dhe pjesa jugore e qarkut të Vlorës. 

Gjatë vitit 2020 qeveria finalizoi ankandin për prodhimin e energjisë nga dielli në zonën e Karavastasë në Divjakë, ndërsa ka hapur një tjetër thirrje për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Spitallë të Durrësit.

Tv Klan