Genaro Gattuso është larguar nga Milan. Lajmin e konfirmojnë mediat italiane, madje e përditshmja “La Repubblica” publikoi edhe deklaratë të trajnerit.

“Vendimi për t’u larguar nga Milani nuk është i lehtë, por është një vendim që duhet ta marr. Nuk kishte një moment të saktë, në të cilin e pata peshuar këtë vendim. Ishte shumatorja e këtyre 18 muajve si trajner i një ekipi, që për mua nuk do të jetë kurrë si të tjerët”.

Kontrata ishte e vlefshme deri në 2021 dhe nga kjo do të përfitonte 5 milionë e gjysmë Euro, por kjo nuk vlen për teknikun.

“A po heq dorë nga një kontratë 2-vjeçare? Po, sepse historia ime me Milanin nuk mund të jetë kurrë një çështje parash”.

Aventura e Genaro Gattuso nisi në Nëntor të 2017 kur zëvendësoi Vincenzo Montella e shkarkuar. Milan këtë sezon nuk arriti të kualifikohej në Champions League. Mediat italiane flasin edhe për largimin e drejtorit Leonardo, ndërsa kanë filluar menjëherë të fliten disa emra si zevendësues të Gatuzos te kuqezinjtë.

Më të lakuarit janë Simone Inzaghi, Eusebio Di Francesco, Marco Giampaolo apo edhe Leonardo Jardim. Sipas të njëjtave burime, një arsye tjetër është që Gattuso vendosi të mos vazhdonte ndërtimin e skuadrës për sezonin 2019-2020, ku pengesë kthehej fair play financiar që kufizonte shpenzimet në merkato. Milan nga ana tjetër rrezikon edhe përjashtimin nga Europa League po për shkak të problemeve në bilanc që duhet eliminuar brenda vitit 2021.

Tv Klan