Vendimi erdhi pas ngrirjes së pasurisë së kompanisë e cila akuzohet për bashkëpunim me vendet e huaja

Gazeta pro-demokraci e Hong Kong Apple Daily do të mbyllet brenda disa ditësh pasi autoritetet ngrinë pasuritë e kompanisë sipas ligjit të sigurisë kombëtare. Sipas asaj që raporton Reuters mbyllja e Apple Daily do të minonte reputacionin e ish kolonisë britanike si një shoqëri e hapur dhe e lirë dhe do t’u dërgonte një paralajmërim kompanive të tjera që mund të akuzohen për bashkëpunim me një vend të huaj. Tabloidi do të ndalojë botimin pas 26 Qershorit.

Policia bastisi zyrat e gazetës javën e kaluar në të cilin drejtuesit e lartë të Apple Daily u arrestuan për pretendimin e bashkëpunimit me një vend të huaj. Autoritetet janë shprehur se dhjetëra artikuj ishin bërë në mospërputhje me legjislacionin ndaj sigurisë kombëtare të miratuar vitin e kaluar.

Kryeredaktori Ryan Law, shefi ekzekutiv Cheung Kim-hung si dhe tre drejtues të tjerë u arrestuan një veprim që u dënua nga kombet perëndimore, grupet e të drejtave të njeriut. Ata të tre janë ende nën hetim. Zyrtarët kinezë janë shprehur se liria e shtypit nuk mund të përdoret si një “mburojë” për ata që kryejnë krime .

Apple Daily, një tabloid ,është kritik ndaj udhëheqjes së Hong Kongut dhe Kinës kontinentale. Jimmy Lai, themeluesi i gazetës, aktualisht është në burg për një seri akuzash. Lai është një nga mbështetësit më të shquar të lëvizjes pro-demokracisë së Hong Kongut. Në maj, autoritetet ngrinë pasuritë që i përkisnin Lai, duke përfshirë llogaritë e tij bankare.

Ligji i sigurisë kombëtare i cili u prezantua në vitin 2020 ul autonominë gjyqësore të Hong Kongut dhe e bëri më të lehtë dënimin e demonstruesve, gjithashtu kriminalizon shkëputjen, përmbysjen dhe bashkëpunimin me forcat e huaja me dënimin maksimal me burgim.

Klan News