Polemika të shumta ka ngjallur në Francë marrja në pyetje e 6 gazetarëve dhe thirrja për llogari e 2 të tjerëve nga Shërbimi i Sigurisë së Brendshme, DGSI, për aktivitetin e tyre profesional.

Në mesin e të pyeturve është edhe reporterja e “Le Monde”, Ariane Chemin, e cila u thirr lidhur me publikimin e identitetit të një oficeri sigurie në një artikull.

Këto praktika janë cilësuar si intimidim i gazetarëve dhe cënim i lirisë së shtypit. Reporterët e marrë në pyetje thanë se u është bërë presion për të treguar burimet e informacionit.

Por këto akuza i hodhi poshtë zëdhënësja e qeverisë, Sibet Ndiaj, e cila tha se edhe gazetarët janë persona që duhet të përgjigjen përpara ligjit.

“Është normale që një shtet të mbrojë disa të dhëna që janë të nevojshme në fushën e sigurisë së jashtme dhe të aktivitetit ushtarak. Ka pasur një informacion të klasifikuar sekret që ka dalë në publik. Kjo nuk është normale. Qeveria apo shteti francez të pyesë për rrjedhjet e informacionit të brendshëm”.

Një tjetër çështje për të cilin gazetarët duhet të japin llogari është publikimi i skandalit të përdorimit të armëve franceze në luftën mes Arabisë Saudite dhe Jemenit.

Tv Klan