Ata janë ndër çiftet e bashkëshortëve që ndajë pasion të madh për profesionin e tyre. Esiona Konomi dhe Armand Bajrami janë dy gazetarë që kanë zgjedhur të jenë jo vetëm kolegë, por edhe bashkëshortë në jetë. Të dy kanë studiuar “Gazetari” në periudha të ndryshme dhe nuk janë të pakta rastet kur ata gjenden në të njëjtin vend për të raportuar ngjarje. Esiona dhe Armandi janë njohur  në vitin 2011 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë ku të dy zhvillonin studimet Master. Pas shikimeve dhe përshëndetjeve në korridoret e Fakultetit, takimi i tyre i parë u bë në një kafe, më pas ngjarjet ecën me shumë ritëm. Sot çifti i gazetarëve ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu historinë e dashurisë.

“Kemi qenë në Master kur jemi njohur. Kontakti i parë ka qenë në Fakultet gjatë prezantimit të një detyre kursi. Më pas jemi takuar përpara një provimi ku kemi bërë një bisedë fillestare për pasiguritë tona për provimin, më pas e lamë të takoheshim për një kafe që vonoi, pasi Mandi ishte shumë i ngarkuar me punë. Brenda një viti u njohëm, u dashuruam, u fejuam dhe u martuam. Në fillim kishim komplekse për t’i treguar miqve tanë sepse na dukej sikur po nxitonim, por ishte nga ato gjëra që nuk kishte nevojë për recetë. U ndjemë komodë me njëri-tjetrin dhe nuk kishte arsye përse të prisnim një kohë më të gjatë dhe të qëndronim larg njëri-tjetrit”,

tha Konomi.

“Në takimin tonë të parë vizual ku unë prezantova një projekt bashkë me miqtë e mi dhe Esiona ishte e vetmja që bëri oponencë. Më bëri përshtypje të jem i sinqertë. Edhe më vonë gjatë orës së mësimit ishte po Esiona që bëri oponencë dhe unë pyeta mikeshat e mia për të. Ne kemi bërë pjesën ligjore të martesës dhe pamë si më me rëndësi të blinim një shtëpi dhe në një moment tjetër të bëjmë dasëm. Nuk e kemi përjashtuar si mundësi. Në planet tona afatshkurtra është edhe shtimi i familjes”,

u shpreh Bajrami.

/tvklan.al