Gazetari Panagiotis Savidis, i së përditshmes greke “Protothema”, është shpallur person i padëshirueshëm në Shqipëri. Ai nuk u lejua të hynte në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijes, dhe u kthye pas. Gazetari grek kishte planifikuar ardhjen në Shqipëri për të marrë pjesë në meshën e së shtunës për Kostandino Kaçifas në fshatin Bularat të Gjirokastrës, pasi qenë më parë edhe në funeralin e 35-vjeçarit.

Kur u paraqit në doganën e Kakavijes, gazetari Savidis u thirr nga autoritetet shqiptare dhe iu komunika se është person i padëshiruar në Shqipëri për arsye të sigurisë kombëtare. Ai u pyet edhe për qëllimin e vizitës në vendin tonë, i cili deklaroi se do të mbulojë mediatikisht meshën për Kaçifasin.

Nga pala shqiptare iu komunikua se është person non grata dhe nuk iu lejua hyrja në Shqipëri. Gazetari grek është pjesë e listës së 60 qytetarëve grekë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar në vendin tonë. Policia Kufitare Shqiptare në Kakavije, por edhe në pika të tjera, ka forcuar kontrollet ndaj qytetarëve grekë që mund të marrin pjesë në meshën për minoritarin 35-vjeçar.

/tvklan.al