Gazetari i Le Iene që gjeti 11-vjeçarin shqiptar në Siri tregon detaje për “Opinion”

Posta

Gazetari i Le Iene që gjeti 11-vjeçarin shqiptar në Siri tregon detaje për “Opinion”

22:37 21/10/2019

Pak ditë më parë, emisioni investigativ italian Le Iene, përcolli një reportazh në qendër të së cilit ishte babai shqiptar, Afrim Berisha, djali 11-vjeçar i të cilit ndodhet në një kamp në Siri.

I zhdukur prej 5 vitesh, atëherë kur nëna e tij iu bashkua luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe u largua drejt Sirisë, gazetarët e Le Iene arritën ta gjenin Alvinin. Ata bënë ç’ishte e mundur, madje udhëtuan sëbashku me babain e Alvinit për ta marrë atë nga kampi në Siri, por kjo qe e pamundur.

Mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Opinion”, një prej gazetarëve të Le Iene, Osvaldo Verri, në një intervistë tregon më shumë detaje për këtë rast të ndjekur prej tyre. Ai thotë se nuk kishte qenë e lehtë të futeshe në kampin Al Hol dhe se të vetmit që i kishin ndihmuar kishin qenë kurdët.

“Kam qenë në Siri për reportazhe të tjerë, por në Kampin Al Hol ishte hera e parë që shkoja. Ishte e vështirë derisa mbërritëm. Ne menduam se do të kishim ndihmën e organizatave që janë atje, mbështeteshim tek ushtarakët, ambasadorët, por askush nuk na ndihmoi. Në fund, ata që e vunë dorën në zemër dhen u prekën nga babai e vendosën të na ndihmonin ishin kurdët që na lejuan të hyjmë në kamp me një pritje shumë të reduktuar krahasuar me normën e televizioneve, që presin nga 3 ditë në një javë, ne hymë për një ditë, duke patur një baba të dëshpëruar”.

Verri tha se në kamp kishin parë shumë fëmijë dhe kishin mësuar se aty kishte edhe familje e fëmijë të tjerë shqiptarë.

“Të hyje në atë kamp është e vështirë dhe e rrezikshme, sepse kishte gra dhe fëmijë që janë familje të luftëtarëve të ISIS. Të qëndroje brenda tendave për pak kohë, duhet të bije dakord me kurdët sirianë, tu thoje çfarë doje të bëje dhe ata të shoqëronin. Përqendrimi ynë ishte tek Alvin, ndaj u përqendruam pak në histori të tjera dhe raste të tjera. Pamë shumë fëmijë dhe na thanë që në një pjesë të kampit kishte familje shqiptare fëmijë shqiptarë, por nuk arritëm të shkonim. Kampi ishte shumë i madh. Por pamë fëmijë në kushte shumë të këqija, pisllëk, dhe unë që jam baba më dhemb zemra”.

Gazetari italian tha se kishin provuar të gjitha mënyrat për ta marrë 11-vjeçarin nga kampi, por nuk kishin mundur pasi iu tha se kishte një procedurë fikse. Duke qenë se Alvini kishte pasaportë shqiptare, duhej një përfaqësues i shtetit shqiptar për ta marrë fëmijën.

“Ne i provuam të gjitha mënyrat për të marrë Alvinin dhe për ta kthyer tek i ati. Ka procedura që në atë terren lufte ka interesa ndërkombëtare, ndaj ka vëmendje nga e gjithë bota mbi fatin e njerëzve që janë në atë kamp. Kurdët, ata që drejtojnë kampin na thanë se në asnjë mënyrë nuk mund ta mbanin atje babain që donte të rrinte atje, pasi atje çdo ditë vriteshin njerëz nga ish luftëtarët e ISIS. Por nuk mund ta jepnin fëmijën, pasi kishte procedurë fikse, që për të marr një fëmijë i lindur në Itali dhe rritur Itali, por kishte pasaportë shqiptare duhej një figurë e një përfaqësuesi nga shtetit shqiptar. Pa këtë figurë nuk e jepnin fëmijën. Na thanë se raste të ngjashme ka patur. Na treguan se nëna daneze me fëmijë danezë, që s’kishin asnjë lidhje me ISIS dhe donin të ktheheshin. Ata janë kthyer me një funksionar të qeverisë daneze dhe në 10 minuta kanë marr fëmijën. Ne këtë mundësi nuk e patën, provuam edhe me ambasadorin shqiptar, por patëm premtime dhe deri më sot fëmija është atje”.

Më tej Verri tregon se kishin udhëtuar drejt Sirisë përpara ndërhyrjes turke. Përveç kontrolleve në rrugë, ai thotë se nuk kishin pasur probleme. Gazetari italian shprehet gjithashtu se tani që ai territor nuk është më nën kontrollin e kurdëve është shumë vend i rrezikshëm, sidomos për fëmijët.  

“Shkuam përpara ndërhyrjes turke. Ne nuk patëm asnjë problem. Me ne të gjithë ishin të sjellshëm, fjetëm në hotel, shkuam për darkë në restorant. Të varfër sigurisht, por nuk patëm probleme me askënd. Sigurisht që kishte kontrolle në rrugë që të shihnin kush je e çfarë bën, por nuk patëm probleme. Të vetmet që ishin pak më ndryshe ishin gratë e ISIS brenda kampit. Kur ishim atje shkëmbyem pak batuta me gratë e veshura me të zeza atje që na thanë se kanë frikë atje, ka dhunë, ka njerëz që u vënë flakën tendave. Dhe tani që kurdët nuk kanë më kontroll mendoj se është shumë më e rrezikshme. Për fëmijët mendoj se është edhe më e rrezikshme. Të vjen vërtet të qash”./tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi