Tv Klan dhe emisioni Opinion  sjell në Tiranë drejtuesin e njohur të “Porta a Porta” Bruno Vespa”. Pjesa më kulminante e vizitës së tij ishte ku Vespa zëvendësoi gazetarin Blendi Fevziu, duke improvizuar një debat të stilit të tij, gjë që për çudi ka habitur spektatorët të cilët kanë parë jo vetëm një ngjashmëri mes dy emisioneve Opinion dhe Porta a Porta, madje dhe të dy karaktereve. Dukej sikur Blendi Fevziu ka ftuar vetveten, por në moshë pak më të madhe.

Rreth 30 vjet më parë gazetarit të njohur i ishte mohuar një vizitë e tillë nga regjimi komunist.

Bruno Vespa: “Është hera e parë që vij në Shqipëri, duhej të vija 30 vjet më parë. Do të isha i pari gazetar perëndimor që do të vinte në Shqipëri. Pas tre vjet përpjekjesh, regjimi i Enver Hoxhës, vendosi të mos vija, e kështu nuk munda më të vij. Tanimë, e pranova me shumë kënaqësi këtë ftesë dhe jam shumë i kënaqur.”

Blendi Fezviu: “Është vizita e parë që Bruno Vespa bën në Shqipëri. Ka ardhur i ftuar nga televizioni Klan, ka një agjendë të ngjeshur 24-orëshe, ku përfshihen takime me personalitete politike dhe intervistë në Klan.”

Por, vizita e komentatorit të njohur italian, i cili ka mbledhur në shtëpinë e tij të debatit, “Porta a Porta”, personazhet më të njohur të politikes italiane, ka përfshirë edhe takime edhe me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kreun e opozitës dhe kryetaren e Parlamentit.

Por, nëse dje ka mbushur plot 65 vjet, Bruno Vespa nisi karrierën si gazetar qysh kur ishte vetëm 16 vjeç, si autor i artikujve sportive në gazetën lokale “Il Tempo”, të vendlindjes se tij, Akuila.

Në 1962-in, ishte reporter radiofonik në RAI dhe në 1968-ën, pasi diplomimit ne Jurisprudence me një teme mbi “Të drejtën e kronikës”, ngjitet në karrigen e spikerit të lajmeve, apo “Telegiornale” RAI, mandej TG1.

Si i dërguar i Telegiornale, në këtë kohë, Vespa intervistoi politikanët me në zë  të  viteve 70-’80 . Atij i atribuohet veçanërisht një intervistë në 1977-ën, me kardinalin Karol Vojtila, Papa i ardhshëm Gjon Pali i 2-të.

Nga 1989 deri në 1992-in, ishte drejtor i TG1, ndërsa gjatë krizës në Irak, në vitin 90-91, ishte ndër të vetmit gazetar i autorizuar për të intervistuar Sadam Husein.

Ishte pikërisht Vespa që moderoi në 2006-ën, përballjen e dytë televizive elektorale mes presidentit të këshillit të ministrave, Silvio Berluskoni në largim dhe liderit të qendrës se majtë, Romano Prodi,

I nderuar me shumë çmime të njohura, për mprehtësinë e tij në lëmin e gazetarisë, Bruno Vespës i atribuohen edhe një sërë librash, ndër të cilët “Kavalieri dhe profesori” apo “Historia e Italisë, nga Musolini tek Berluskoni”.

Bruno Vespa ka drejtuar në 1976-ën, rubrikën televizive të aktualitetit  “Tam Tam”; në 1978 programin gazetaresk me të ftuar në studio “Ping Pong”, një lloj pararendësi i “Porta a Porta” dhe në 1996, ai doli për herë të parë në transmetim me emisionin e tij që e futi padyshim në  historinë televizive italiane, “Porta a porta”, e cila u kthye ne shtëpinë e debatit italian.

Aty ku Vespa drejton gjerësisht debate të forta politike, kulturore, por jo vetëm. Ishte pikërisht një speciale në “Porta a Porta”, më 6 Prill, që komentatori Bruno Vespa i kushtoi qytetit te tij të lindjes, Abruzzo, pas dëmeve qe shkaktoi tërmeti, dhe jetëve që mori./tvklan.alGazetare: Irma Toptani