Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka diskutuar mbrëmjen e sotme për grupin e kokainës të drejtuar nga shqiptarët që u shkatërrua javën e kaluar gjatë operacionit “Los Blancos”. Në Dubai u arrestua Eldi Dizdari, një nga personazhet më të përfolur. Dizdari do të ekstradohet në Itali për llogari të Italisë.

Por përse personat e përfshirë në trafikun e kokainës qëndrojnë në Dubai?

Gazetari Artan Hoxha tha në emisionin “Opinion” se në Emiratet e Bashkuara qëndrojnë bosët e krimit për të mos qenë nën vëmendjen e autoriteteve europiane.

“Jetojnë bosët kryesorë të trafikut të kokainës. Bosët e mëdha janë zhvendosur në Dubai me idenë që aty të investojnë paratë. Dhe së dyti, për të qëndruar larg syrit të autoriteteve europiane. Ata i janë larguar Shqipërisë vetëm për të mos patur konflikt me grupet rivale. Nuk është problem autoritetesh. Ata janë aq të aftë sa të korruptojnë”, tha gazetari Hoxha. /tvklan.al