Një ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi, avokati i tij Çlirim Gjata kërkoi publikisht nga Prokuroria t’i vërë në dispozicion dosjen si dhe procedurat sipas të cilave është bërë ekspertiza e audiopërgjimit të realizuar nga Olldashi.

Përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, avokati i gazetarit Jetmir Olldashi që realizoi investigimin gjatë të cilit u pretendua se u përgjua vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i kërkoi organit të akuzës t’i vërë në dispozicion dokumentet ku është bazuar që vendosi masën “detyrim paraqitje” ndaj Olldashit.

“Të na vihet në dispozicion akti ekspertimit në dy gjuhë. Janë të detyruar ligjërisht të na e japin. Në qoftë se nuk përgjigjen atëherë ne e kemi plotësisht të themi që këtu kemi një proces të montuar politikisht kundër gazetarit Olldashi. Nëse është thirrur Olldashi si person që ka dijeni për çështjen njëherë, apo të thirren dhe persona të tjerë. Atëherë shumë bukur. Pse nuk u thirr edhe shtetasi Xhafa si person që ka dijeni për çështjen, por thjeshtë depozitoi zërin dhe iku? Pse nuk thirret kryeministri si person që ka dijeni për çështjen kur ka dijeni për aktin e ekspertimit”

, u shpreh avokati Gjata.

Të premten, Prokuroria për Krimet e Rënda i dha një kthesë të papritur hetimit të çështjes “Babalja”  pasi dyshon se zëri që bisedon me Albert Veliun në audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike e që u pretendua se është i Agron Xhafajn, nuk është ai i vëllait të ministrit të Brendshëm, por i një shtetasi tjetër, Fredi Alizoti.

Me akuzën për “kallëzim të rremë” prokurorët Përparim Kulluri dhe Gentian Osmani kërkuan arrestimin e Albert Veliut dhe Fredi Alizotit. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi “detyrim paraqitje”. Kërkesat e Prokurorisë morën miratimin e Gjykatës./abcnews.al