Vlora është një nga qytetet ku kultivimi i kanabisit ishte kthyer në fenomen shqetësues vitet e fundit. Ndryshe nga një vit më parë, kur kultivimi i lëndëve narkotike ishte ulur ndjeshëm, këtë vit duket të ketë tendenca në rritje.

Gazetari i News24 Enrik Mehmeti, i ftuar në studion e emisionit “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ka thënë se janë vënë re disa raste të kultivimit të kanabisit në qytetin e Vlorës, kryesisht në zona pyjore.

Ai thotë se krahasuar me vitin 2019, këtë vit ka një tendencë në rritje të kultivimit të bimëve narkotike.

Spartak Koka: Çfarë ndodh me kultivimin e kanabisit? Vlora është një 4-5 zonat kryesore në Shqipëri që është ende në hartën e riskut. Çfarë ndodh këtë vit? Ka tendenca për kultivimin e kanabis sativa? Sepse këtë vit s’do kemi as avionin i cili do të monitorojë nga ajri.

Enrik Mehmeti: Në fakt tendencat janë, por fakti që pavarësisht pandemisë dhe policia duke ditur që mund të kishte një kultivim masiv, në ato pika të dyshuara janë marrë masa dhe janë dhënë mesazhe që nuk do të jetë ajo situatë e para disa viteve. Gjithsesi, raste sporadike ka, ato janë kryesisht brenda pyjeve por me zona me diell. Fakti që nuk do të ketë edhe monitorim nga ajri do të bëjë një vijim të mirë të procesit të kultivimit, por që gjithsesi këtë vit nuk e shikoj një vit që hyn te problematikat.

Spartak Koka: Po ta krahasosh me 2016 mund të mos jetë, por që krahasuar me 2019 ka një perceptim për rritje të kultivimit.

Enrik Mehmeti: Më në rritje se 2019, po ka! Çmimi është rritur goxha ndjeshëm në krahasim, sepse vjet ka pasur një mungesë të madhe të lëndëve narkotike dhe ato pak lëndë që kanë mbetur, disa kanë tentuar të shesin dhe atë të disa viteve më parë.

/klanplus