Gazetari i Tv Klan Spartak Koka informon se Redjan Rraja që është ndaluar si një nga atentatorët e dyshuar ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremit, theksoi se prova e deritanishme që mban të ndaluar Redjan Rrajën, është gjurma e gishtit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Koka theksoi se përgjigjia e analizave biologjike nga laboratori shkencor për mostrat e ADN-së të gjetura në maskat e autorëve, do të provojë nëse 34-vjeçari Rraja ishte qitës.

“I është gjetur një gjurmë gishti në pjesën e pasme të automjetit, e cila provon lidhjen e këtij personi me automjetin. Gjurmët e gishtit janë dokumentuar pas arrestimit të tij në datën 1 Maj 2016 si i akuzuar për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës në ngjarjen ku u vra Elton Çiço. Ai është arrestuar ditën e djeshme në doganën e Hanit të Hotit në tentativë për të kaluar. Ka patur një urdhër kërkimi policor në të gjitha pikat kufitare. Ai ka pretenduar se po shkonte drejt Italisë dhe është sjellë në Tiranë. Në deklarimin e parë ai ka thënë që s’ka lidhje me ngjarjen dhe me vrasjen. Por ajo që është e rëndësishme është fakti i gjurmës së gishtit. Ajo që është e rëndësishme për ta lidhur Redjan Rrajën si një prej atentatorëve, janë provat biologjike që janë gjetur tek maska. Automjeti është vjedhur në qytetin e Kamzës muaj më parë. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me pronat por të jetë bërë si hakmarrje e një ngjarje të ndodhur gjatë këtij viti në qytetin e Durrës në fillim të këtij viti”.

Spartak Koka bëri me dije se grupi hetimor ka identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

“Dyshimet për të cilat po punohet janë dhe dy persona të tjerë të identifikuar dhe ne rezervohemi që mos të prishim hetimin”. /tvklan.al