Gazetari Eni Ferhati ka qenë i ftuar në emisionin ‘Uniko’ nga Spartak Koka në Klan Plus, për të komentuar lidhur me videon ekskluzive të momenteve të fundit para zhdukjes së Renit të Elbasanit.

Gazetari Ferhati u shpreh se kjo ngjarje është ende e pazbardhur dhe duhet të hetohet çfarë e lidh këngëtarin Renato Hamza me dy personazhet Indrit Shaqja dhe Deniz Xhija, të cilët shfaqen në video.

Sipas tij, me rëndësi është edhe gjetja e Deniz Xhijës, i cili vijon të jetë një person në kërkim.

“Duhej dashur edhe një hetim lidhur me aktivitetin zyrtar të Renit të Elbsanit, lidhur me përfshirjen e tij ndoshta në ndonjë ngjarje të mundshme kriminale. Në dijeninë time nuk ka patur ndonjë hetim dhe kjo dosje aktualisht që flasim është në sirtaret e policisë. Duhet hetuar në shumë pista. Edhe gjetja e personit Deniz Xhija mund të jetë shumë e rëndësishme për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarje. Por sigurisht në kushtet kur nuk është arritur të gjendet ky person, edhe hetimet do të stopohen”.

Pyetja që ngre vazhdimisht gazetari Eni Ferhati është çfarë e lidh Renin e Elbasanit me Shijakun, qytetin nga janë Indrit Shaqja dhe Deniz Xhija.

“Duhet të kuptojmë, por edhe agjencitë ligjzbatuese, çfarë e lidh Renin me dy persona, të cilët janë nga Shijaku? Ndërkohë që Reni jeton në Elbasan dhe e lidh me Durrësin vetëm pjesa e punës. Duke u nisur nga fakti që si Indrit Shaqja, por edhe Deniz Xhija, janë dy persona nga Shijaku. Është shumë e rëndësishme të hetohet edhe aktiviteti i Renit në këtë zonë”.

Kanë kaluar rreth 6 vjet nga zhdukja e këngëtarit të tallavasë Renato Hamza, dhe nuk ka ende asnjë informacion për të. /klanplus