Në mesin e personazheve të vitit 2019, të përzgjedhur nga emisionin “Opionin” në Televizionin Klan, ishte edhe Marin Mema. Gazetari foli për mbledhjen e fondeve sëbashku me “Albanian Roots”, për të prekurit nga tërmeti. Ai tha se reagimi që kishte pasur ishte tërësisht njerëzor, për të ndihmuar në atë që do të vinte më pas, pa e ditur për reagimin e jashtëzakonshëm që do të kishin shqiptarët. Mema tregoi se thuajse 1.6 milionë dollarë janë mbledhur vetëm nga shqiptarët e Amerikës.

“Ishte një reagim i natyrshëm. Në fakt nuk kam qenë në Shqipëri kur ndodhi tërmeti, po vija nga SHBA për çështje pune dhe në momentin kur kam zbritur në aeroport isha në kontakt me kreun “Albanian Roots”, “Rrënjëve shqiptare”, që është edhe miku im në të njëjtën kohë. Më erdhi një reagim njerëzor, kërkova të reagoja, kërkova po themi të ndihmoja në atë që do të vinte më pas dhe sigurisht me një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë vajzat dhe djemtë e “Albanian Roots” me qendër në New York, menjëherë vumë atë status edhe në faqen time në Facebook dhe në të tyren dhe menjëherë nisëm shumë natyrshëm mbledhjen e fondeve. Pa menduar që do të ishte ky reagim masiv i jashtëzakonshëm i shqiptarëve që në fakt treguan se mund të thyejmë barrierat e imponuara shpesh edhe nga politika. Shqiptarët arritën të tregojnë se mund të ndihmojnë më shumë se gjithçka njëri-tjetrin. Thuajse 1.6 milionë dollarë janë mbledhur vetëm nga shqiptarët e Amerikës. Nga shqiptarët në tërësi domethënë nga shqiptarët e Amerikës, e Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, tërësisht nga shqiptare që janë jashtë. Nga Shqipëria dhe nga Kosova nuk mundën të bëjnë donacionin e tyre përmes kësaj forme që në kishim përzgjedhur, pra është një fond tërësisht i mbledhur nga shqiptarët e mërgatës. Ne kemi filluar procesin, jemi grupi që kemi filluar të rindërtojmë shtëpinë e parë. Unë e kam shprehur edhe në komitetin e rindërtimit, ne jemi për koordinim pasi është normale, por jo centralizim. Nuk mund të bëjmë centralizëm të fondeve pra duam të jemi me fytyrë përballë njerëzve, me përgjegjësi përballë njerëzve që kanë besuar këto fonde tek ne”.

Gazetari tregoi se bashkë me grupet e vullnetarëve janë përpjekur që të identifikojnë familje të cilat kanë më shumë nevojë. Ai tha se deri në centin e fundit do të shkojë për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit, ndërsa zbuloi se shtëpia e parë po ndërtohet me kosto më të ulët se ajo që ka deklaruar qeveria.

“Shtëpinë e parë e kemi filluar në zonën e Tapizës, në një familje që kishte vështirësi të madhe ekonomike, të njëjtën procedurë do të ndjekim. Jemi përpjekur me grupe vullnetarësh të identifikojmë familjet që kanë më shumë probleme me më shumë vështirësi ekonomike, që janë pensionistë apo janë familje me të sëmurë dhe rast pas rasti më pas të fillojmë rindërtimin e shtëpive. Deri në centin e fundit të tregojmë që në 30 vite gjërat kanë ndryshuar dhe në raste të tilla nuk ka njerëz që flenë të varfër. Do të qëndrojmë në transparencë deri në fund, do të qëndrojmë cent për cent deri në fund. Do të qëndrojmë për shqiptarët e prekur nga tërmeti, ashtu siç janë dhënë me atë reagim të jashtëzakonshëm të dhënë nga mërgata. Kemi nisur shtëpinë e parë për të dhënë dhe mesazhin që është koha të lëmë fjalët, të lëmë shoë-t mediatike, të lëmë këto daljet këtu lart e poshtë dhe të ndihmojmë. Ka firma ndërtimi që janë të gatshme të bashkëpunojnë, ne kemi venë vetëm një kusht që të gjitha ndërtimet që do të bëjmë do t’i bëjmë me çmim kosto madje edhe nën kosto, mjafton të përmend shtëpinë e parë që po ndërtohet, po e ndërtojmë me jo shumë se 300 mijë lekë metri katror, pra kosto më të ulët se ajo që ka deklaruar qeveria”./tvklan.al