100 vjet më parë shqiptarët kanë filluar të votojnë për përfaqësuesit e tyre në parlament. Një shekull më parë, shqiptarët votonin direkt përfaqësuesit e tyre, ndaloheshin kriminelët të garonin, diaspora zgjidhte deputetin e saj, administrata ndalohej të përfshihej në zgjedhje, votimi e numërimi monitorohej nga ndërkombëtarët, rezultati dilte brenda ditës.

Po çfarë ka ndodhur me votën ndër vite? Çfarë zgjedhin shqiptarët kur i drejtohen kutive të votimit? Për të folur për këtë temë të ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, kanë qenë aktivistja Elsa Ballauri, gazetari Leonard Veizi, pedagogia Arsejda Gjyli, maturantja Fabiana Proi  e cila voton për herë të parë, studentja Flavia Hasko dhe në një lidhje me Skype ka qenë  Kristaq Kume, ish-Kryetar i KQZ-së.

Gazetari Leonard Veizi është shprehur se shumica e njerëzve votojnë sepse janë militantë të një partie dhe nuk duan t’ja dinë për programet partitë kanë.

Mirela Milori: Leonard nga se nisemi që votojmë?

Leonard Veizi: Nga militantizmi. Shumica e njerëzve që shkojnë të votojnë janë militantë të një partie, nuk duan t’ja dinë fare. Ajo pjesa e elektoratit grijë mund të mendohet se çfarë do fitojë, çfarë do marrë.

Mirela Milori: Ka elektorat grin në Shqipëri? Sepse në zgjedhje normale pikërisht është elektorati gri ai që jep efektin.

Leonard Veizi: Vitet e fundit ka shumë mundësi të ndikojë sepse më përpara elektorati gri ka qenë inekzistent. Njerëzit ishin ndarë fort në dy kampe kryesore dhe shkonin më mënyrë të verbër të hidhnin votën. Programi i partisë nuk ka rëndësie përballë një militanti i cili do vetëm fletën e votimit dhe emrin e kryetarit të partisë.

Leonardi tregon se ka hequr dorë nga votimi që në vitin 1997 .

Mirela Milori: Nuk ke frikë që ajo vota jote mund të përdoret nga dikush sepse është edhe manipulimi i votës.

Leonard Veizi: Jam dakort, por unë në ndërgjegjen time jam i pastër duke thënë që ti e merr pushtetin pa ndihmën time dhe jam me veten time i ndërgjegjshëm.  /tvklan.al