Gazetari Spartak Koka ka debatuar në emisionin Opinion në Tv Klan me drejtorin e Policisë Kriminale Tonin Vocaj, i cili ndërhyri përmes telefonit duke pretenduar se u thanë informacione të pasakta nga gazetarët Klodiana Lala dhe Spartak Koka për vrasjen e Behar Sofisë.

Por, gjatë debatit mes të dyve, gazetari Koka e ka sfiduar publikisht Vocajn duke i lexuar dokumentin e Prokurorisë për provat materiale që çuan në identifikimin e autorit të dyshuar Ernejt Shyti si vrasës i Behar Sofisë më 25 Shkurt.

Spartak Koka: A ka mundësi z.Vocaj se ia keni marrë dorën, ke disa muaj që në Verë kur kontestoje pamjet filmike që nxirrnim nga emisioni Uniko apo me kolegun Artan Hoxha që thoje janë pamje të vjetra të kanabisit dhe pastaj detyroheshe të pranoje realiteti, ia ke marrë dorën kësaj situate, dhe po të them një gjë publikisht dhe të lutem mos kalo në një situatë deliri në raport me komunikimin publik, dhe do të sfidoj publikisht me një gjë, gënjen ti apo gënjen Prokuroria? Thuhet tekstualisht në letrën e Prokurorisë: “Nga krahasimet e kryera rezulton se profili gjenetik i shtetases Klotilda Lakollari dhe profili gjenetik i përftuar nga maska kirurgjikale e ekzaminuar nga ana jonë me akt të veçantë paraqesin lidhjen nënë e bir”. Ku është mashtrimi këtu? Ma tregon pak të lutem?

Tonin Vocaj: Po ju shpjegoj dhe opinionit një gjë. Ne akoma nuk e kemi dërguar për ekspertim profilin gjenetik të autorit të veprës penale.

Spartak Koka: Atëherë gënjen Prokuroria se ky është dokument i Prokuroisë.

Tonin Vocaj: Nuk gënjen as Prokuroria!

Spartak Koka: Atëherë mos abuzo!

Tonin Vocaj: Më dëgjo 1 sekondë.

Spartak Koka: Nuk kam si të dëgjoj kur thua mashtron për maskën. O do të jemi të ndershëm…

Blendi Fevziu: Kështu thotë kjo z.Voci, në pikën dy, faqe nëntë.

Tonin Vocaj: A mund ta sqaroj unë këtë çështje?

Blendi Fevziu: Po.

Tonin Vocaj: Ne kemi marrë profilin gjenetik të mamasë së autorit dhe kemi një konkluzion kategorik që profili gjenetik i gjetur në vendin e ngjarjes është i të birit, i fëmijës gjenetik të kësaj mamaje të cilës i kemi marrë profilin gjenetik. Por duhet të dimë një gjë që këta janë dy vëllezër binjakë edhe në rastet e vëllezërve binjakë, në një vezë, profili gjenetik është identik.

Lorenc Vangjeli: I përputhur në masë gati 100%.

Klodiana Lala: Po e sqaruam z.Vocaj.

Tonin Vocaj: Dhe ne akoma nuk e kemi dërguar këtë profil gjenetik në këtë pjesë.

Spartak Koka: Pra z.Vocaj nuk gënjejmë ne?

Tonin Vocaj: Unë nuk ju thashë se ju gënjeni.

Spartak Koka: Të lutem tani, të kemi pak etikë komunikimi z.Vocaj se është e disata herë ose hajdeni në këtë studio dhe bëni diskutime transparente ose nuk mund të vini këtu nga telefoni se ja keni marrë dorën edhe në televizione të tjera. Dilni në telefon dhe na jepni konkluzione dhe thoni gazetarët gënjejnë. A keni deklarimin e nënës që të thotë “I vetmi djalë që lëvizte me biçikletën e zezë ishte Ernejt Shyti dhe ishte i vetmi djalë” jo Ergisi që lëvizte me të. Përse ju nuk arrestuar Ergisin dhe arrestuat Ernejtin?

Klodiana Lala: Është shoqëruar binjaku, të mos e ngatërrojmë historinë. Është shumë e rëndësishme kjo se po flasim për dy njerëz të ndryshëm, binjaku tjetër është i lirë. Është e vërtetë dhe unë ta thash që në fillim është shoqëruar binjaku i cili rezulton me kampion gjenetik të përputhshëm sikurse tha edhe z.Vocaj. Por provat e tjera që kanë të bëjnë me 1) vendin ku ai qëndronte tek nëna e tij që binjaku tjetër nuk qëndronte dhe që Ernejt Shyti shfaqet në kamerat e sigurisë 2) është shfaqur tek kamerat te terminali i autobusëve të Krrabës 3) del në komunikime direkte me Xhuljano Vishën, Leonar Xhixhën dhe Skënder Vathin 4) është i vetmi që është bërë eksperiment hetimor brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku z.Vocaj është dëshmitar okularë, e ka filmuar z.Vocaj kur Ernejt Shyti ka bërë lëvizjen sikur kishte probleme dhe ka imituar ngjarjen.

Tonin Vocaj: Problemi është këtu, unë nuk thashë që gazetarët po gënjejnë, por thashë se po thonë pasaktësi dhe është e paarsyeshme t’i thonë këto. Prandaj unë kam ndërhyrë për t’i sqaruar. Sa për deklarimet që bëri z.Koka në adresën time dua t’i them që unë në jetën time nuk kam gënjyer ndonjëherë në raport me opinionin publik dhe nuk e akuzoj as z.Koka për këtë pyetje dhe jam gati të ballafaqohem.

Spartak Koka: Mund të vish patjetër.

Blendi Fevziu: Ju marr unë një ditë z.Voci.

Tonin Vocaj: z.Koka mund të jetë mësuar që të hedhi insinuata dhe baltë mbi punën e strukturave të caktuara…

Spartak Koka: Baltë s’ke ti z.Vocaj se dole edhe për pamjet e drogës, si the? Janë pamjet e 2013-ës. Kush ishin pamjet? Janë të 2020…

Tonin Vocaj: Edhe për pamjet e drogës ta kam sqaruar se nuk janë pamjet reale.

Spartak Koka: Z.Vocaj nuk do bëhesh dot Drejtor i Përgjithshëm i Policisë me këto akuza dhe me këtë retorikë politike. Ta siguroj këtë gjë. Nëse ti akuzon gazetarët të cilët citojnë shkresa Prokurorie, nuk do të bëhesh kurrë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Tonin Vocaj: Ambiciet e mia për të qenë funksionar i policisë nuk kanë të bëjnë me këtë pjesë fare. Nuk është pretendimi im. Kjo ngjarje e rëndë kriminale është zbuluar në sajë të punës së një grupi të madh oficerësh dhe agjentësh të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Tiranës të cilët meritojnë një përgëzim dhe falenderim publik.

Klodiana Lala: I bëmë në fillim z.Vocaj e thash unë me zë dhe figurë.

Blendi Fevziu: Nuk ka kontestim për këtë. /tvklan.al