Mëngjesi i së martës u shoqërua me tensione mes banorëve të Unazës së Re dhe policisë. Banorët iu përgjigjën me molotov dhe gurë punonjësve të IKMT që nisën shembjen e objekteve që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ndërkohë policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Gazetari Andi Qosja tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se si ndodhi përplasja. Ai u shpreh se kanë qenë rreth 200 banorë që kanë qëndruar kundër autoriteteve.

Ndërkohë solli në pah edhe një detaj. Për shkak se një pjesë e banorëve janë njoftuar vetëm në momentet e fundit, ata nuk kanë mundur të largojnë sendet që kanë pasur në shtëpitë, tashmë të shkatërruara.

“Një pjesë e policëve kanë qenë në pikat hyrëse dhe dalëse të rrugëve. Qarkullimi ishte i bllokuar dhe një pjesë e mirë e drejtuesve të mjeteve mbetën të bllokuar në trafik. Qëndresa fillimisht ka ndodhur në këtë vend. Kanë qenë më shumë se 150 rreth 200 banorë që prej së hënës kishin paralajmëruar se do qëndronin aty në pritje të forcave të rendit.

Sipas IKMT sot janë shembur 33 banesa. Gjatë aksionit vlen për t’u përmendur se këto banesa, një pjesë e mirë e banorëve ishin njoftuar vetëm në momentet e fundit. Një pjesë e tyre janë ende në proces legalizimi. Shumë sende dhe orendi të tyre kanë mbetur brenda objekteve që janë shembur nga IKMT dhe nuk kanë pasur kohë për t’u zhvendosur apo për t’u larguar në banesa të tjera”, tha Qosja.

Sipas tij janë parashikuar të prishen rreth 330 banesa për shkak se preke nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Deri në orën 18:00 të kësaj të marte, IKMT shembi rreth 33 banesa. /tvklan.al