“Personi kyç ku duhet të fokusohen hetimet është Skënder Vathi”

Gazetari Eni Ferhati ka zbardhur të tjera detaje për vrasjen e Behar Sofisë më 25 Shkurt në kryeqytet, ngjarje për të cilën janë arrestuar 4 persona, mes të cilëve edhe ekzekutori.

I ftuar në studion e emisionit Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, gazetari Ferhati u shpreh se Xhuliano Visha 28 vjeç është shoku i ekzekutorit Ernejt Shyti 24 vjeç. Sipas tij, do të duhej që ekzekutimin ta kryente pikërisht Visha, por ky i fundit dyshonte se ishte pikasur nga rojet e sigurisë së ndërtesës ku banonte viktima. Për këtë arsye, ai kishte nënkontraktuar shokun e tij, Ernejt Shytin, që të kryente ekzekutimin e Behar Sofisë.

Sipas gazetari Ferhati, hetuesit do të duhen të fokusohen edhe tek Skënder Vathi 54 vjeç, si personi kyç nga 4 të arrestuarit në rolin e organizatorit, nga i cili mund të mësohen porositësit e këtij ekzekutimi.

Spartak Koka: Përse nuk e realizoi ekzekutimin Xhuliano Visha? Ky person e kishte marrë i pari, sipas Prokurorisë, ta kryente këtë ngjarje. Përse nuk e ka realizuar?

Eni Ferhati: Sipas dosjes hetimore, rezulton se Xhuliano Visha ka patur frikë që ta kryejë ai për shkak se këta persona kanë qenë në ndjekje më herët dhe kanë mbajtur në vëzhgim Behar Sofinë, por ka patur dyshime se ai është pikasur nga një nga rojet privatë të sigurisë së objektit ku banonte viktima dhe për këtë lloj arsye ai ka menduar që të përfshijë në këtë ekzekutim edhe Ernejt Shytin.

Spartak Koka: Është bërë pagesa kundrejt Ernejt Shytit nga ana e nënkontraktorëve?

Eni Ferhati: Ai ka marrë një pjesë të vogël të parave. Do të merrte pjesën tjetër më pas. Policia dhe Prokuroria po tentojnë që në këtë ngjarje të kemi dhe një bashkëpunëtorë të drejtësisë. Ernejt Shyti ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë vetëm për pjesën që ai është në dijeni. Ka vënë në dispozicion edhe telefonin që policia i ka sekuestruar kur kanë gjetur disa biseda në Messenger por edhe mesazhe të thjeshta lidhur me mbikëqyrjen që kanë bërë, të tipit fjalë “doli”, “po del” ose të kësaj natyre. Personat e tjerë nuk kanë pranuar që të bashkëpunojnë dhe kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë ngjarje. Personi kyç i cili duhet të fokusohen dhe hetimet e Prokurorisë dhe policisë për të zbardhur ngjarjen dhe porositësit e vërtetë është Skënder Vathi, i cili është edhe në rolin e organizatorit. Gjithashtu është një person që është arrestuar edhe më herët.

Spartak Koka: Çfarë pritet të ndodhë me këtë çështje?

Eni Ferhati: Prokuroria e Tiranës me shumë gjasa do të shpallë moskompetencë dhe do t’ia kalojë çështjen Prokurorisë së Posaçme. Me marrjen e dosjes nga SPAK hetimet do të thellohen. Duhet punuar për të thyer një nga personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Ndërkohë që edhe Ernejt Shytit besoj do t’i ofrohet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë për t’i siguruar atij mbështetjen, pasi mos harrojmë që përfshirja në ngjarje të tilla mund të sjellë pasoja edhe për familjen e tij apo për rrethin e ngushtë shoqëror.   /tvklan.al