Tetova u trondit rreth orës 21:00 të kësaj të mërkurë kur në spital shpërtheu një zjarr që dogji plotësisht qendrën e dedikuar për pacientët e sëmurë me Covid.

Gazetarja Xhumadije Ibrahimi solli detaje të reja rreth kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm. Ajo tha se dyshohet se kanë qenë rreth 28 pacientë të shtruar. Zjarrfikësit dhe qytetarët e pranishëm në momentin e zjarrit kanë mundur të shpëtojnë personelin shëndetësor, ndërsa sa i përket pacientëve të shtruar mendohet se janë shpëtuar vetëm 8 prej tyre. Pjesa tjetër ka mbetur brenda ndërtesës që është djegur tërësisht nga flakët.

“Është djegur komplet spital modular ku kanë qenë të shtruar pacientë të sëmurë me Covid, nuk ka asgjë konkrete se cilat kanë qenë shkaqet e  zjarrit. Siç raportohet ka pasur diku tek rreth 28 pacientë, por asgjë zyrtare nuk ka. Qytetarët dhe disa nga zjarrfikësit janë mundur që të evakuojnë. Thuhet se personeli shëndetësor është evakuuar dhe është nxjerrë jashtë, por të sëmurët që kanë qenë të shtrirë thuhet se vetëm 8 persona janë mundur të nxirren, pjesa tjetër kanë ngelur”, tha Ibrahimi.

Në Tetovë ndodhet Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të cilët janë duke zhvilluar një mbledhje dhe më vonë do të dalin në një deklaratë për publikun.

Nuk ka ende të dhëna zyrtare për numrin e viktimave, por sipas raportimeve të der tanishme mendohet se janë të paktën 10 persona që kanë humbur jetën nga kjo ngjarje./tvklan.al