Fshati Brar në Tiranë prej 5 vitesh nuk ka një edukatore për fëmijët. Emisioni “Stop” ka shkuar në këtë fshat, ku prindër e fëmijë ankohen se nuk kanë një edukatore. Madje banorët dhe prindërit e fëmijëve kanë rregulluar vetë ambientet e brendshme të kopshtit dhe kanë investuar për të blerë pajisje.

Doriana Llalla, drejtoresha e shkollës brenda të cilës është dhe ambienti i kopshtit, thotë se salla e fëmijëve është gati, por problemi qëndron në faktin se në organikën e kopshtit nuk ka një vend bosh për edukatore. Ajo tregon se që prej vitit 2013 u ka dërguar shkresa institucioneve kompetente, por situata nuk ka marrë zgjidhje.

Dorina Llalla, drejtoresha e shkollës “Ferraj”:

“Prindërit me të drejtë e ngrenë shqetësimin. Fëmijët parashkollorë duhet të marrin një arsim parashkollor që të përgatiten për t’u futur në shkollë. Unë e kam ngritur këtë shqetësim që kur jam ulur tek kjo karrige që në vitin 2013-2014. Kam bërë kërkesa të njëpasnjëshme. Përgjigjet i kam marrë, kam qenë gjithmonë në pritje. Institucionet përkatëse nuk e kanë bërë shtimin e organikës. Në përgjigje e kalojnë sa në një institucion në një tjetër dhe në fund nuk është kompetenca jonë. Në dijeninë time, i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës shtimit të organikës për edukatore. Pra, kuadri i shtesës së organikës. E kemi kompletuar si kopsht, prapë mungon edukatorja. Problemi është që nuk bëhet pjesë organike, jo se s’ka edukatore”.

Gazetarja e “Stop” nuk u dorëzua. Madje një ditë, ajo vendosi që të ishte vetë edukatore për fëmijët e fshatit Brar dhe të kujdesej e argëtohej me ta. Sigurisht që ky ishte një veprim për të treguar se kur ka vullnet, zgjidhet çdo gjë. Gazetarja insistoi për të zgjidhur këtë problem dhe kërkoi takim me drejtoreshën e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Kopshteve dhe Çerdheve. Drejtoresha pranoi problemin me mungesën e edukatores dhe kontaktoi kandidatët që ishin në listë. Të gjithë refuzuan, përveç zonjës Elvira Bytyçi, e cila pranoi të punojë si edukatore në fshatin Brar.

Brikena Shehu, drejtoresha e burimeve njerëzore:

Në momentin që ne u vumë në dijeni të kësaj situate ne u vumë në lëvizje. Detyrimin ligjor për të telefonuar gjithë kandidatët e listuar në listën e aplikantëve të portalit Qarku Tiranë, kemi telefonuar kandidatët dhe të gjithë kandidatët na kanë refuzuar. Përveç një zonje që është Elvira Bytyçi e cila ka pranuar. Shumë shpejt do të zgjidhet problemi i kopshtit të Brarit”.

Znj. Elvira Bytyçi dhe drejtoresha Brikena Shehu shkuan së bashku me gazetaren e emisionit “Stop” në fshatin Brar për të takuar fëmijët, të cilët prisnin me padurim ardhjen e edukatores së tyre. Me ndërhyrjen e emisionit “Stop”, tashmë ky problem i mbartur prej 5 vitesh, tashmë ka marrë zgjidhje.

/tvklan.al