Në një lidhje direkt me “Milori Live”, gazetarja e Klan News, Glidona Daci bën me dije informacione të marra nga burime jo zyrtare për çështjen e inceneratorëve. Gazetarja thotë se javën e ardhshme priten arrestime të reja, por nuk dihet ende se për cilin prej inceneratorëve do të firmosen urdhër arrestet nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Glidona Daci: “Të paktën sipas informacioneve që ne kemi mundur të sigurojmë në rrugë jo zyrtare, Prokuroria e Posaçme është drejt mbylljes së një faze tjetër operacioni  dhe arrestimsh për një grup personash të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në koncesionin e inceneratorëve. Pritet që të paktën gjatë javës që vjen të ketë zhvillime për sa i përket kësaj çështjeje duke qenë se në vetvete është e ndarë në tre çështje të ndryshme, është inceneratori i Elbasanit, i Fierit dhe po ashtu vazhdojnë hetimet edhe për inceneratorin e Tiranës.

Nuk dihet ende se për cilin nga inceneratorët do të firmosen urdhër arreste nga ana e Prokurorisë së Posaçme, por të paktën në rrugë jo zyrtare na është bërë me dije se priten që javën e ardhshme të kemi arrestime të reja për sa i përket inceneratorëve.

Ndërsa për sa i përket edhe njëherë zotit Bllako, hetimet për të vazhdojnë dhe ndryshimi i masës së sigurimit nuk e favorizon atë për sa i përket hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme”, përfundon gazetarja./tvklan.al