Gazetarja Klodiana Lala ka nxjerrë të dhëna tronditëse në emisionin “Opinion”, ku ka deklaruar se për tragjedinë e ndodhur në Kombinat, ku Anisa Josifi dhe nëna e saj Zhaneta, u vetëflijuan me shpresën tek ringjallja, mund të jenë përfshirë persona të tjerë.

Bazuar në hetimin e deritanishëm të policisë, Lala zbuloi se ka disa arsye për të cilat dyshohet se familjen Josifi mund t’a kenë ndihmuar persona të tjerë në procesin e vetëflijimit. Procesverbali i policisë tregon se ka një numër të madh shishesh dhe lëngje të cilat janë blerë në një vend të caktuar. Dyshimi lind pasi mënyra se si kanë vepruar  me kufomën, ka pasur nevojë për njerëz të specializuar në mjekësi.

Klodiana Lala: E di çfarë e bën të rëndë këtë ngjarje dhe pse unë insistoj që kjo ngjarje nuk duhet mbyllur vetëm si histori vetëflijimi.

Blendi Fevziu: Kjo ngjarje është e tmerrshme, nuk është histori vetëflijimi.

Klodiana Lala: Është shumë e rëndë ta them për opinionin publik…

Blendi Fevziu: Koka thotë që nëse kanë hyrë dhe kanë dalë njerëz është vrasje me qëllim.

Klodiana Lala: Vajza e pajetë është mbajtur 15 muaj dhe është bërë një proces mumifikimi, i cili kërkon njohuri të specializuara.

Blendi Fevziu: I lexonin në Bibël këto.

Klodiana Lala: Të lutem Fevzi se kjo është përtej asaj që vajza ka lënë në shënimet e saj. Së pari nuk besoj se Bibla flet për mumifikimin e njerëzve. Pastori mund të ma konfirmojë.

Pastori: Absolutisht jo.

Klodiana Lala: Është bërë një proces mumifikimi i cili në thelb është një proces mjekësor. Mënyra se si veprojnë me kufomën do të thotë se duhet të jenë njerëz të specializuar. Janë blerë ilaçe, solucione, aty janë gjetur pafund shishe. Po të shikosh procesverbalet dhe unë mund t’i jap t’i lexosh, ka pafund shishe të cilat nuk janë përcaktuar çfarë lënde janë. Nuk mund të nxitohemi ne gazetarët, duhet të jemi korrekt me ngjarje kaq të rënda. Për këto arsye, për këto detaje që në pamje të parë për opinionin publik nuk thonë asgjë, për hetuesit ka dyshime të forta që mund të jenë njerëz të jashtëm. Për cilat arsye? Për faktin se janë disa lëngje që janë blerë në një vend të caktuar se unë nuk kam njohuri për t’i blerë. Është bërë një mumifikim kufome tërësisht, është stad i plotë mumifikimi. E treta, askush nga njerëzit rreth e rrotull nuk kanë…

Blendi Fevziu: Klodi, këto kanë lidhje me hetimin dhe hetimi duhet t’i gjejë patjetër.

Klodiana Lala: Pikërisht, këtu dua të ndalem.

Blendi Fevziu: Po pra, ne po flasim për njerëz që shkojnë dhe kryejnë këtë gjest dhe problem i injorancës në shoqëri. Pastaj nëse ka njerëz që i kanë manipuluar patjetër./tvklan.al