Gazetarja nxjerr zbuluar zv/ministrin për mos kthimin e shqiptarëve nga Siria

Posta

Gazetarja nxjerr zbuluar zv/ministrin për mos kthimin e shqiptarëve nga Siria

22:55 21/10/2019

Gazetarja Fatjona Medini thotë se Shqipëria nuk ka marrë asnjë hap për të kthyer në atdhe shqiptarët të cilët ndodhen në Siri. E ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion”, Medini solli një listë të vendeve që kanë kthyer shtetasit e tyre. Ajo tha gjithashtu se të gjitha këto vende kanë dërguar përfaqësues, si pjesë e një procedure standarde. Ky fakt u kundërshtua nga zv/ministri i Jashtëm, Eltien Xhafaj,  i cili thotë se i gjithë kontakti vjen nëpërmjet partnerëve dhe zhvillohet nëpërmjet tyre.

Fatjona Medini: Shqipëria është vendi i fundit, nga të gjitha vendet që ka pasur këtë problematikë që ka marrë hapa. Në fakt, nuk ka marrë asnjë hap. Nëse duam të dimë se çfarë kanë bërë vendet e tjera, atëherë unë mund të jap një listë. Në muajin Prill Kosova ka tërhequr 110, nga këta 74 fëmijë, 4 burra dhe pjesa tjetër gra. Në muajin Maj, Kazakistani, një vend i cili ka pasur të njëjtën problematikë, ka tërhequr mbrapsht 281 burra, gra e fëmijë. Në muajin Maj përsëri Uzbekistani, 148 përfaqësues. Belgjika, në Qershor ka kthyer 6 jetimë. Franca në Qershor ka kthyer 12, pasi kishte kthyer 6 të tjerë në muajin Mars.

Blendi Fevziu: Në të gjitha rastet kanë çuar përfaqësues atje?

Fatjona Medini: Është procedurë standarde. Domethënë shteti i këtyre vendeve, është një shtet serioz, i cili bisedon me administratën kurde. Ata kanë komandën e tyre, kanë një zinxhir komandimi, sepse janë një trupë e përgatitur, gati për të ndërtuar një shtet, prandaj sigurisht që kanë përfaqësuesit e tyre. Të paktën në rastin e Austrisë, unë e di me detaje sesi është bërë i gjithë operacioni. Në datën 1 Tetor ata kanë kthyer 2 nga 4 fëmijët që kanë pasur. Është lidhur shteti austriak, Ministria e Jashtme austriake me përfaqësuesit kurdë, kanë vënë amerikanët në dijeni për këtë operacion, kanë shkuar. I kanë pajisur fëmijët në kamp atje me dokumente identifikimi austriake, sepse kanë qenë në zonë lufte dhe sigurisht që nuk kanë pasur. Dhe pas i kanë çuar në Irak, në avion në Bagdat drejt Vienës. Domethënë ky është mekanizmi që kanë përdorur gjithë këto shtete. Kthehemi tek Amerika, në muajin Qershor ka kthyer 2 gra dhe 6 fëmijë. Amerika, që ne po e përdorim, të paktën Kryeministri Rama e ka përdorur si arsye të faktit që po negociojmë me amerikanët. Në asnjë moment amerikanët nuk kanë pasur pengesë. Kanë qenë aty thjeshtë për të facilituar procesin e kthimit.

Ajo që është më e rëndësishme është që situata sot është shumë e vështirë. Shqipëria ka humbur një shans të artë, për t’i kthyer ata njerëz nga muaji Shkurt kur ata shkuan në kamp, deri në këto momente që po flasim. Nesër ju e dini shumë mirë që armëpushimi mbaron dhe fillon përsëri ofensiva turke dhe situata bëhet shumë e vështirë. Amerikanët kanë dalë komplet nga zona e Sirisë dhe kanë shkuar në zonën e Irakut. Tani se çfarë do ti ndodhë atyre fëmijëve dhe grave, realisht është e paparashikueshme dhe shteti shqiptar, sot jo vetëm që s’ka bërë asgjë në të gjithë këtë periudhë, por edhe shtetet e tjera më të fuqishme sot, vërtetë që janë përpara një dileme.

Eltien Xhafaj: Kjo nuk është absolutisht e vërtetë dhe ndoshta ju duhet të verifikoni e para njëherë që janë 10 mijë të huaj në Al Hol. Janë 10 mijë të huaj nga të cilët ka edhe kombësi franceze, ka edhe kombësi italiane etj. Në fakt atje ka edhe shumë kombësi të tjera përfshirë edhe amerikanë, ka edhe belgë e holandezë, të cilët janë të intervistuar aty dhe po ta shikoni deri në fund emisionin edhe vetë gazetarët thonë se duhet vendosur një kordon sigurie për të kaluar diplomatë. Dhe asnjëherë në asnjë rast nuk e kemi përjashtuar që është e domosdoshme prezenca qoftë identifikim, qoftë për komunikim. Ajo që është problematike është që nuk ka një interlokutor shtetëror të njohur. Rrjedhimisht i gjithë kontakti ka ardhur nëpërmjet partnerëve dhe është zhvilluar nëpërmjet tyre. Hapat specifike unë nuk mund t’i tregoj, sepse vë në rrezik njerëz të tjerë.

Fatjona Medini: Po si mundet, domethënë të gjitha këto vendet e tjera që unë rreshtova, kanë pasur operacione të tilla.

Eltien Xhafaj: Ka një operacion që ka muaj që po zhvillohet dhe ka muaj edhe para këtij emisioni, një komunikim të vazhdueshëm që kemi pasur me partnerët, për të mundësuar kthimin në Shqipëri të këtyre personave, sidomos të grave dhe fëmijëve. /tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT