OFL-ja dhe insistimi i gazetares Klodiana Lala për të marrë përgjigje nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj për emra konkretë, bënë që mes palëve tonet të mos ishin të qeta. Por ajo që duket se shkaktoi edhe reagimin më të madh të gazetares ishte fakti që Ministri Lleshaj e cilësoi Operacionin Forca e Ligjit si tepër të suksesshëm. Kjo bëri që Lala t’i drejtohej ministrit me fjalët “duhet të të vijë turp që e thua këtë gjë “. Në kundërpërgjigje, Lleshaj i tha se duke qenë grua e “çarmatoste” dhe se e kishte “zënë ngushtë, sepse nuk të përgjigjem dot me të njëjtën gjuhë”.

Klodiana Lala: Ju dhatë disa shifra për OFL-në të cilat më kërcasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Më rezulton që nga Gjykata e Posaçme, që kam marrë statistikat, që janë sekuestruar vetëm 100 pasuri, në pjesën më të madhe janë vetëm automjete, një dhe nuk kanë lidhje fare me shifrat tuaja. E dyta, a mund të më thoni zoti Ministër, përse mungojnë në listat e OFL-së disa emra, edhe pse këtu ju mund të fshiheni dhe të thoni unë nuk kam dijeni për emrat. Për shembull, vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është i njohur fakt botërisht që është duke kryer dënim për trafik droge. Deri më sot nuk ka një formular OFL-je. Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që në kuptim të ligjit është subjekt i OFL-së, për shkak se është në hetim dhe në gjykim për trafik në kuadër të grupit të strukturuar, nuk ka ende një formular OFL-je.

Blendi Fevziu: Po OLF-ja është për ata që janë dënuar

Klodiana Lala: Jo, është edhe për ata që janë nën hetim, sepse duhet të jemi të qartë me publikun dhe mund të jap raste sa të doni. Kemi mjaft persona që nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe u është çuar OFL. Mund t’ju përmend këtu Ardjan Çapja, Ervis Martinaj. Por po pyes për këto dy emra të paktën që janë emra të njohura botërisht.

Sandër Lleshaj: Sapo ju thashë që me emra nuk merrem.

Klodiana Lala: Po është ish-Ministri i Brendshëm.

Sandër Lleshaj: Aq më tepër që është ish-Ministri i Brendshëm, si do merrem me ish-Ministri i Brendshëm.

Klodiana Lala: Atëherë është selektive, zoti Ministër? Se nuk po e kuptojmë, mund të jeni më i qartë në këtë pikë.

Sandër Lleshaj: Fakti që nuk merrem me emra do të thotë që është selektiv?

Klodiana Lala: Jo, atëherë na shpjegoni përse mungon, sepse OFL përfundon mandatin më 31 Dhjetor.

Sandër Lleshaj: OFL-ja ka një kategori subjektesh qartësisht të përcaktuara nga ligji, janë persona të dënuar për 31 nene të Kodit Penal.

Blendi Fevziu: Të dënuar apo dhe në hetim?

Sandër Lleshaj: Të dënuar.

Klodiana Lala: Dhe nën hetim zoti Ministër, ju përmenda raste konkrete.

Sandër Lleshaj: Dhe janë vepra penale të caktuara…

Klodiana Lala: Dhe grupi i strukturuar kriminal, trafiku i drogës në kuadër të grupit, është një prej veprave penale. Po ju pyes për një rast konkret, është ish-Ministri i Brendshëm dhe po ju pyes nominalisht me emër.

Sandër Lleshaj: Ti mendon se unë do të shkoj të interesohem se çfarë bën policia me ish-Ministrin e Brendshëm?

Klodiana Lala: Po atëherë mos hajdeni fare në studio, sepse nëse nuk keni për të thënë, nuk keni për të thënë dhe mbaroi.

Sandër Lleshaj: Po si, po nuk kam ardhur për të diskutuar çështje… Ne duhet të diskutojë këtu çështje të mëdha të kriminalitetit në Shqipëri.

Klodiana Lala: Që janë? Sepse OFL-ja nuk ka sekuestruar pasuri zoti Lleshaj.

Sandër Lleshaj: Që të merremi me politikën kundër krimit.

Klodiana Lala: Cila është politika kundër krimit? Sepse OFL-ja zoti ministër, lindi si një tentativë, si një aksion i madh i trumbetuar me bujë nga ju dhe Kryeministri.

Sandër Lleshaj: Dhe i suksesshëm shumë…

Klodiana Lala: Të lutem, duhet të të vijë turp që e thua këtë gjë, minimalisht duhet të skuqesh para shqiptarëve që e thua këtë gjë.

Sandër Lleshaj: Ti je grua dhe më çarmatos, edhe zonjë…

Klodiana Lala: Jam shumë etike në komunikim.

Sandër Lleshaj: Po si e përmend fjalën turp mua ti, po si e përmend… Po a e kupton se më ke zënë ngushtë, sepse nuk të përgjigjem dot me të njëjtën gjuhë.

Klodiana Lala: Si? Cila ishte gjuha ime zoti ministër?

Sandër Lleshaj: Po si thua që nuk ke turp? Kujt i thua?

Klodiana Lala: Po sepse shifrat që thoni ju nuk janë shifra që përkojnë me realitetin. Është gënjeshtër, është gjykata që ka shifra zyrtare.

Sandër Lleshaj: Po si ka mundësi bie në këtë nivel gjykimi. Për hir të dinjitetit minimal, unë po ju jap shifra dhe po mbaj përgjegjësi për shifrat që jap, këto janë shifra të referuara nga OFL-ja. Dhe unë nuk jam zëdhënësi i gjykatës këtu moj zonjë./tvklan.al