Mbrëmjen e 14 Shtatorit u vra brenda makinës së tij në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës, 33-vjeçari Klevis Kapllani.

Viktima ishte një person me precedent të mëparshëm penal, pasi ka qenë i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë të arrestuar, ndërsa hetuesit kanë shpallur në kërkim shokun e viktimës, Nuredin Dumanin.

Gazetarja Aida Topalli, e ftuar në emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka zbuluar të tjera të informacione për këtë ngjarje.

Sipas gazetares Topalli, Nuredin Dumani është një njohje e hershme e viktimës Klevis Kapllani. Ndërsa ka theksuar se ditët e fundit përpara vrasjes së 33-vjeçarit, Nuredin Dumani ishte takuar me Klevis Kapllanin.

“Nuredin Dumani, një person me precendent të theksuar kriminal, i shpallur së fundmi në kërkim edhe për grabitjen e Rinasit apo me vrasjet e bëra në Durrës. Dëshmi e rëndësishme për policinë, apo edhe ajo që na tha vetë nëna, është njohja e Klevis Kapllanit me Nuredin Dumanin. Nuredin Dumani ka jetuar herët në fshatin Sinaballaj. Por janë shpërngulur së bashku me familjen në qytetin e Durrësit. Megjithatë duket se njohja ka vazhduar, ka vazhduar dhe lidhja e Klevis Kapllanit më Nuredin Dumanin. Në një dëshmi të dhënë në Policinë e Kavajës, por edhe në të Tiranës nga një person i afërt i Klevis Kapllanit, është thënë që 4 ditët e fundit para vrasjes ka pasur takime të shpeshta të Nuredin Dumanit me Klevis Kapllanin, në datat 10, 12, dhe 13 Shtator. Edhe një ditë para vrasjes”.

Gazetarja Topalli u shpreh gjithashtu se lidhur me këtë ngjarje, “policia po heton disa pista dhe disa ngjarje kriminale të njëpasnjëshme ku pretendohet që edhe Klevis Kapllani të jetë i përfshirë”.   /tvklan.al