Më shumë se tre vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, siguria energjetike e Evropës është e brishtë.

Gazi natyror i lëngshëm i SHBA-së ndihmoi në mbylljen e hendekut të furnizimit rus në Evropë gjatë krizës energjetike 2022-2023. Por tani Presidenti Donald Trump ka “tronditur” marrëdhëniet me Evropën dhe po e përdor energjinë si një mjet pazaresh në negociatat tregtare.

Drejtuesit e firmave të mëdha të BE-së  po mendojne se importimi i një pjese të gazit rus, përfshirë nga gjiganti shtetëror rus Gazprom, mund të ishte një ide e mirë.

“Ka negociata fillestare, të nxitura nga qeveria amerikane. Kështu që ka një shans që lufta të ndalet. Më pas do të ishte e rëndësishme dhe e arsyeshme për të gjitha palët që të kthehen në furnizimin me gaz natyror nëpërmjet tubacioneve. Ky do të ishte një nxitje e rëndësishme për Rusinë në negociatat e paqes. Për Ukrainën, do të thoshte të ardhura nga tarifat e tranzitit. Për industrinë evropiane, çmimet e gazit natyror do të bien”, tha Christof Guenther, drejtor i “Infraleuna”.

Kjo do të kërkonte një tjetër ndryshim të madh të politikës, duke pasur parasysh se pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 bëri që Bashkimi Evropian të zotohej për t’i dhënë fund importeve ruse të energjisë deri në vitin 2027.

Në Leuna Chemical Park, një nga grupimet më të mëdha kimike të Gjermanisë disa prodhues thonë se gazi rus duhet të kthehet shpejt.

“Shpenzimet tona të energjisë elektrike ishin pak më shumë se një milion në muaj para krizës, tani jemi në 2.3 milion, që është dy herë më shumë. Nëse kalon koha atëherë shpenzimet do të jenë mbi 10 milion më shumë. Kjo është sigurisht një barrë e madhe.  Konkurrentët tanë në Azi, kryesisht në Kinë, kanë ndërtuar kapacitete gjigante dhe çmimet e energjisë elektrike në Kinë, siç e dini, priren drejt zeros. Të konkurrosh me dikë të tillë është sigurisht tmerrësisht e vështirë”, tha Klaus Paur, drejtor i “Leuna-Harze”:

Rusia mbulonte 60 % të nevojave lokale, kryesisht përmes gazsjellësit Nord Stream, i cili u hodh në erë në vitin 2022. Pothuajse një e treta e gjermanëve votuan për partitë miqësore me Rusinë në zgjedhjet federale të shkurtit. Në shtetin Mecklenburg-Vorpommern, rajoni lindor i Gjermanisë, ku kalon gazsjellësi Nord Stream, 49 % e gjermanëve duan një kthim në furnizimet me gaz rus, sipas një sondazhi të kryer nga instituti Forsa.

Klan News