Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit gjatë vitit 2018 ka pësuar ulje drastike në Shqipëri. Zyrtarët e lartë të Guardia Di Finanza-s italiane, që kryen monitorimet përmes ajrit për më shumë se 187 orë fluturimesh, konfimojnë se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

“Është konfirmuar ulje e plantacioneve janë identifikuar vetëm 27, nga 88 që ishin në 2017. Tregohet një ulje domethënëse edhe e kanabisit të sekuestruar në Itali, me 81% brenda një viti”,

tha Gjeneral Brigade, Giuseppe Arbore

.

Në një aktivitet të titulluar “Për një Shqipëri pa kanabis”, Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca në Shqipëri përgëzoi strukturat për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit.

“Rezultatet janë mbresëlënëse, ulje drastike në kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Gjithashtu tregohet edhe një ulje e kanabisit që është sekuestruar në Itali”,

u shpreh Ambasadori i BE, Luigi Soreca.

Ndërsa e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses-Ones përgëzoi Shqipërinë për arritjet në betejën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ndërsa kërkoi që lufta të vijojë.

“Sot është e qartë se është më e vështirë të kultivosh dhe trafikosh kanabis në Shqipëri, sesa ka qenë dy vite më parë. Kapja e Klemend Balilit, Arbër Çekajt dhe Met Kananit duhet të shërbejnë në këtë përpjekje afatgjatë. Tani është në dorë të prokurorëve dhe gjykatave dhe sigurisht vullnetit politik”,

tha ajo.

Për Ministrin e Brëndshëm Sandër Lleshaj 2018-a e nxjerr përfundimisht Shqipërinë nga harta e kanabisit.

“Për vitin 2018 niveli i kultivimit të kanabisit është në minimumin e tij historik. Në 2018 sasia e kapur në Itali është 81% më e ulët se në 2017”,

u shpreh Lleshaj

.

Sipas Ministrit, lufta ndaj krimit nuk duhet të ndalojë, ndërsa objektivi kryesor është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Tv Klan