Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj thotë se në muajin Tetor kur do të jepet vendimi për negociatat e anëtarësimit, shprehet i bindur se ka shumë shanse që Shqipëria të marrë dritën jeshile. Në një lidhje live me emisionin “Opinion”, Cakaj u shpreh se bazohet në konkluzionet e Këshillit të Evropës.

“Në Tetor mundësia më e madhe është Po. Jo sepse është opinioni im personal. Unë nuk garantoj në mënyrë absolute se negociatat do të hapen në Tetor të këtij viti. Por bazuar në paragrafin 39 të konkluzioneve të Këshillit, Këshilli lexon pozitivisht raportin e Komisionit për hapjen e negociatave”, tha ministri Gent Cakaj.

Pavarësisht shtyrjes së vendimit në muajin Tetor për negociatat, Cakaj thotë se Shqipëria ka fituar, duke argumentuar përmes 3 pikave.

“Ka tre arsye kryesore pse ky vendim është me rëndësi. Këshilli përqafon gjetjet e Komisionit. Për më tepër Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë marrë asnjë kusht shtesë për hapjen e negociatave. E dyta është fakti që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë trajtuar në mënyrë të diferencuar, janë trajtuar mbi meritat e tyre ekskluzive. Dhe e arsyeja e tretë është që Këshilli në mënyrë unanime vendosi horizontin kohor datën e fundit kalendarike të muajit Tetor si datën e fundit si mundësinë për marrjen e një vendimi substancial. E vërteta është në anën e qeverisë dhe jo në anën e opozitës”, u shpreh ministri i Jashtëm në detyrë. /tvklan.al