Viti 2023 pritet të ketë rritje ekonomike dhe tregues të qëndrueshëm financiarë. Kështu ka deklaruar sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko përmes një konference shtypi, ku tha po ashtu se inflacioni ka pësuar rënie në fundin e vitit që lamë pas.

Sejko theksoi se rënia e inflacionit ka ndikuar pozitivisht në çmimin e naftës dhe të disa produkteve të shportës dhe se rritja ekonomike 3-mujorin e fundit të 2022-it solli më shumë punësim e rritje pagash.

Genti Sejko: Dua të sqaroj më në detaje vendimin e sotëm dhe arsyet që e motivuan.Inflacioni erdhi në rënie gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022, pasi kulmoi në nivelin e 8.3% në muajin Tetor, norma e inflacionit zbriti në 7.4% në fund të vitit. Rënia e inflacionit u pasqyrua në rënien e çmimit të naftës dhe disa produkteve të shportës, të diktuara nga ecuria e ngjashme e këtyre çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër norma e inflacionit të shërbimeve dhe artikujve të tjerë mbetet në nivele të larta, të krahasueshme me atë të muajve paraardhës. Në aspektin makro-ekonomik rënia e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të importuar ndërkohë që presionet inflacioniste vazhdojnë të mbeten të larta. Ato ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallrave dhe shërbimeve, nga rritje e shpejtë e punësimit, pagave e kostove të prodhimit  si dhe nga pritjet ende të larta të inflacionit të agjentëve ekonomikë në vend.

Aktivititeti ekonomik vijoi të rritet dhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022. Rritja ekonomike u përshpejtua në fund të 3 mujorit paraardhës. Në këndvështrimin sektorial, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe shërbimeve ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor mbeti thuajse i pandryshuar.

Rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe pagave. Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në 3-mujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen por sinjalizon edhe rritje të shpejtë të kostove të prodhimit. Normat e interesit dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje si pasojë e normalizimit të politikës monetare në vend dhe botë.

Kredia për sektorin privat ka vijuar të shfaqë rritje pozitive vjetore duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe familjeve për mjete financiare. Paralelisht me to kursi i këmbimit valutor ka pasur tendenca forcimi kundrejt monedhave kryesore ndërkombëtare si pasojë e rritjes së të ardhurave valutore.

Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Ekonomia shqiptare pritet të rritet dhe treguesit financiare të mbeten nën kontroll./tvklan.al