Mohon të ketë korruptuar gjyqtarin

Tre ditë pas ekstradimit nga Britania e Madhe, Gentian Doda doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën e Prokurorisë Shqiptare në çështjen ku është i përfshirë edhe gjyqtari Shkëlqim Miri.

Doda akuzohet se në vitin 2017 ka paguar 30 mijë Euro tek ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës për të lënë në fuqi një vendim të Gjykatës se Matit, e cila kishte ndryshuar akuzën nga vrasje me dashje në plagosje të rëndë për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ku Doda dyshohet se kishte vrarë dy persona.

Pavarësisht provave të Prokurorisë, 41-vjeçari ka mohuar se i ka dhënë para gjyqtarit Shkëlqim Miri, duke thënë se është i pafajshëm dhe se do të përballet me drejtësinë.

Doda u largua në drejtim të Britanisë së Madhe pas ngjarjes se vitit 1997  ku u pajis edhe me pasaportë me një identitet të rremë. Ai u ndalua në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ku u zbulua se të dhënat në pasaportë ishin false. Në të njëjtin vit ai u ekstradua drejt vendit tonë ku pas vendimit të apelit dhënë nga Gjyqtari Shkëlqim Miri fitoi lirinë.

Kjo kohë mjaftoi që ai të largohej dhe të fshihej përsëri në Angli ku jetoi dy vite i fshehur.  Për akuzën e korrupsionit pasiv u dënua me 2 vite e 6 muaj gjyqtari Shkëlqim Miri, të cilit iu sekuestruan një sasi Lekësh në banesë.

Tv Klan