Por bllokimi i frymëmarrjes për afro-amerikanin rezultoi të ishte fatale

Mënyra sesi u vra afro-amerikani po ngre dyshime shumë të mëdha. Autopsia e cila ka dalë së fundmi ka treguar se 46-vjeçari ka qenë pozitiv ndaj koronavirusit.

Dokumenti 20-faqesh i lëshuar nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut Hennepin tregon se Floyd i ishte nënshtruar një testi në datë 3 Prill dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.

Sipas mjekëve, Floyd kishte bërë një tjetër test dy javë më vonë dhe sipas rezultateve ai kishte dalë asiptomatik. Por ekspertët, të cilët janë marrë me autopsinë e George janë shprehur se virusi nuk ka luajtur asnjë rol në vdekjen e Floyd dhe nuk ka gjasa që të ketë qenë infektues.

Videot që kanë xhiruar kalimtarë të rastit tregojnë se George ka humbur jetën nga mbytja dhe mungesa e oksigjenit teksa oficeri i vendoste gjurin në fyt. Polici Derek Chauvin doli në gjykatë ditën e hënë dhe tanimë po përballet me vrasje të shkallës së dytë dhe akuza të tjera.

90 persona të tjerë janë arrestuar një natë më parë në Nju Jork teksa po grabisnin disa prej bizneseve më me emër në vend. Shtëpia e Bardhë është e blinduar nga policia ushtarake dhe agjencitë e zbatimit të ligjit si dhe nga agjenci të ndryshme federale pasi mijëra njerëz shkaktuan trazira për vdekjen e George Floyd.

Së fundmi edhe në Greqi janë zhvilluar protesta kundër vrasjes së afro-amerikanit George Floyd. Rreth 3.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sintagma, ku gjendet edhe ndërtesa e parlamentit, duke marshuar drejt Ambasadës së SHBA-së në Athinë dhe duke mbajtur në duar parulla anti-amerikane dhe kundër dhunës policore.

Disa grupe protestuesish sulmuan me molotov dhe gurë ekipet e ndërhyrjes së shpejtë policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës ndaj protestuesve. 

Protestat tanimë sipas kritikëve po kthehen në lëvizje anti-Trump. James Mattis, ish-Sekretar i Mbrojtjes në administratën Trump, ka akuzuar kreun e SHBA-ve se po përpiqet që të përçajë Amerikën.

Në një intervistë për The Atlantic Mattis është shprehur se Trump po ndërmerr veprime të pajustifikuara si siç ishte ideja e fundit për të nxjerrë ushtrinë në vend.

Klan Plus