Raffensperger: Biden në avantazh të ngushtë, të krijojmë besim tek rezutati

Shteti federal i Georgia është i pari që vendos të rinumërojë me dorë të gjitha votat e hedhura për zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit.

Vendimin e bëri publik Sekretari i Shtetit në administratën e Georgias të drejtuar nga republikanët, për të cilin rinumërimi është i nevojshëm për të krijuar besim në një diferencë kaq të ngushtë.

 “Po të ishte një tjetër garë do ta linim me kaq. Por në këtë rast, kjo diferencë e ngushtë nuk mund të kapërcehet lehtë, pasi ka rëndësi kombëtare”.

Diferenca është tepër e ngushtë, 0.3% në favor të Biden i cili ka 14 mijë vota më shumë se Trump. Së bashku me Karolinën e Veriut, këto janë dy shtetet e fundit ku ende nuk është shpallur fituesi i votave të kolegjit. Në Karolinën  e Veriut mbeten ende 134 mijë vota për t’u numëruar, 65% e të cilave janë me postë.

Ky shtet federal ka pasur edhe afatin më të gjatë të grumbullimit të votave me postë, afati i të cilit përfundon këtë të enjte. Trump kryeson me mbi 75 mijë vota ndaj Biden, i cili matematikisht ka mundësi ta përmbysë rezultatin.

Nga e marta e 3 Nëntorit kanë kaluar 9 ditë deri më tani dhe ky pritet të jetë ndër proceset më të gjata të numërimit në histori. Ndër arsyet kryesore është edhe pjesëmarrja rekord prej 65%, më e larta në 112 vitet e fundit.

Procesi i numërimit është ngadalësuar për shkak të pandemisë, çka ka bërë që votat me postë që kanë nevojë për një procedurë tepër të gjatë numërimi kanë qenë më të shumta se kurrë në numër.

Presidenti Donald Trump synon rinumërimin në të paktën 6 shtete me pretendimin e manipulimit të rezultateve. Që çështjet të shkojnë tek Gjykata Supreme duhet të kalojnë në shkallët më të ulta, çka sipas analistëve rrezikon të kapërcejë afatet kushtetuese për nisjen e mandatit të ri presidencial më 20 Janar.

Tv Klan