Studentët dhe stafi i kësaj shkolle të mesme në Gjermani përkujtuan 10-vjetorin e rrëzimit të avionit të linjës Germanwings në Alpet Franceze, ku humbën jetën 16 adoleshentë dhe dy mësues të këtij institucioni arsimor nga qyteti Haltern.

Në një ceremoni të zymtë që u mbajt përpara një pllake përkujtimore që listonte emrat e viktimave nga shkolla e mesme, zyrtarët thonë se kujtimet nga tragjedia ajrore janë ende të freskëta.

“Edhe pse kjo tragjedi ndodhi dhjetë vjet më parë, plagët janë ende aty. Koha nuk i shëron plagët dhe është e rëndësishme për mua që shkolla dhe të afërmit ta dinë se ajo që ndodhi atëherë nuk është harruar”, është shprehur ministrja e Arsimit Dorothee Feller.

Rrëzimi i avionit Germanwings në Mars 2015 është një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e aviacionit evropian. Jo vetëm për shkak të numrit të madh të viktimave, por edhe për shkak të shkakut të paimagjinueshëm që e shkaktoi atë.

Për ata që janë përgjegjës për hetimin e përplasjes në Gjermani dhe Francë, nuk ka asnjë dyshim se bashkëpiloti 27-vjeçar Andreas Lubitz e rrëzoi qëllimisht mjetin për t’i dhënë fund jetës së tij dhe 149 personave të tjerë.

Autoritetet më vonë dolën në konkluzionin se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Për shumë familjarë të viktimave, shumë pyetje mbeten pa përgjigje edhe sot, një dekadë më vonë. Kush e lejoi bashkëpilotin të ulej në kabinë, pavarësisht se ishte i sëmurë mendor dhe pse asnjë nga mjekët e tij nuk dha alarmin.

Klan News