Gjenerata e njohur ndryshe si “Gen Z” thuajse nuk i përdor gërmat kapitale në të shkruar. Po pse ndodh kjo? Së pari, se mendojnë që mospërdorimi i tyre nuk ndikon aspak në kuptimin e fjalës apo fjalisë. Pra, pse të lodhesh?!

Së dyti, për lehtësi apo shpejtësi.

Të tjerë s’e bëjnë sepse ndjekin linjën e bashkëbiseduesit ose thënë ndryshe “shkojnë sipas rrymës”. Arsye të tjera janë se “i mendojnë si shumë formale dhe sikur ke menduar gjatë për të shkruar diçka”, pra i heqin natyrshmërinë bisedës. Një tjetër adoleshent thotë se në fakt është autocorrect i telefonit që i kthen gërmat ashtu dhe ai nuk mundohet për të kundërtën.

Por jo vetëm në të shkruar, ky trend po zë vend edhe në shumë brande të njohura, emra biznesesh, logo apo markat e bukurisë. Është përkeqësuar aq shumë sa po shkakton përçarje me brezat e vjetër në mjediset e punës. Ata ndonjëherë e shohin këtë si provë se Gjenerata Z është “dembele”, “e pakujdesshme” ose “jo e zgjuar”.

Po si do mund të reagonim nëse në të ardhmen do na vinte një email pune pa gërma të mëdha?!

Këtë nuk e dimë, e rëndësishme është të kuptohemi me njëri-tjetrin, por pa dalë jashtë rregullave tradicionale gjuhësore.

/tvklan.al