Disa adoleshentë izrealitë të cilët ndodheshin me pushime, kanë zbuluar qindra monedha ari që datojnë 1,100 vjet më parë.

Thesari, i groposur brenda në një kavanozi balte, u zbulua në Yavne në Izraelin qendror, është shprehur Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA).

Robert Kool, një ekspert i monedhave u shpreh se monedhat datojnë në fund të shekullit të IX kur rajoni ishte nën kontrollin e Kalifatit Islam Abasid, një dinasti e cila sundonte një territor nga Algjeria e sotme në Afganistan. 425 monedhat e gjetura ishin bërë prej ari të pastër 24 karat dhe peshonin 845 gramë (1.86 paund).

“Me një shumë të tillë, një person mund të blinte një shtëpi luksoze në një nga lagjet më të mira në Fustat, kryeqyteti i pasur i Egjiptit në ato ditë”, tha Kool.

Adoleshentët në fillim menduan se kishin gjetur disa gjethe shumë të holla të groposura në një kavanoz.

“Ishte e mahnitshme. Unë gërmova në tokë dhe monedhat m’u dukën si gjethe shumë të holla”, tha në një deklaratë Oz Cohen, një nga të rinjtë që gjeti monedhat.

“Monedhat e bëra prej ari të pastër që nuk oksidohet në ajër, u gjetën në gjendje të shkëlqyeshme, sikur të ishin groposur një ditë më parë. Gjetja e tyre mund të tregojë se tregtia ndërkombëtare u zhvillua midis banorëve të zonës dhe zonave të largëta,” tha Liat Nadav- Ziv dhe Elie Haddad nga IAA.

/tvklan.al