Reshjet e shiut vështirësojnë sërish qarkullimin e automjeteve në akset rrugore të vendit, ndërsa dëbora ka bllokuar aksin nacional Peshkopi-Librazhd.
Dalja e Viroit ka penguar qarkullimin për mjetet e ulëta në aksin e Gjirokastrës, po ashtu në aksin nacional Vlorë-Selenicë nuk lejohet kalimi i makinave për shkak të përmbytjes së rrugës nga lumi i Vjosës.
Gerti Bogdani: “Përroi i Viroit i cili ka mbuluar rrugën e një lartësie prej 60 centimetrash. Për momentin këtu nuk mund të qarkullojnë makinat e ulëta, ndërkohë që vazhdon qarkullimi i makinave me tonazh të lartë të makinave të ngritura. Po ashtu në aksin Gjirokastër-Kakavijë në zonën e Derviçanit ka patur prurje materialesh inerte nga shirat. Për sa i përket segmentit Vlorë-Selenicë ka patur fryrje të lumit Vjosë, i cili në një gjatësi prej 300 deri në 500 metra të rrugës e ka mbuluar rrugën deri në një lartësi 1 metër. Për momentin ky segment është i bllokuar…”
Nga të dhënat më të fundit të Shtabit të Emergjencës bëhet e ditur se përmirësimi i motit ka pezulluar hapjen e digës së Vaut të Dejës duke shpëtuar nga evakuimi rreth 450 familje, por shtabi njofton se problematike do të jenë prurjet në urën e Mifolit.
Sipas qendrës meteorologjike dy ditët në vijim do të ketë një mot të paqëndrueshëm me reshje shiu në ultësira dhe reshje dëbore mbi 1 mijë metër.
Mbrëmja e fundit e këtij viti do të shënojë rënie të temperaturave deri në -3 gradë celsius, ndërsa po sipas kësaj qendre në 1 Janar vendi ynë do të jetë sërish në reshjet e shiut./tvklan.al