Më 14 Qershor tekniku italian Gianni De Biasi u dorëhoq nga drejtimi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, duke nisur një aventurë të re në Spanjë me skuadrën e Deportivo Alavesh. Nuk zgjati shumë dhe pas dy muajsh De Biasi u largua nga ekipi spanjoll pas rezultateve të dobëta.

Edhe pse ka rreth 1 vit që është larguar nga pankina kuq e zi, ai mbetet një nga trajnerët më të dashur për shqiptarët. Ndoshta në të ardhmen, De Biasi mund të bashkëpunojë sërish me futbollistët shqiptarë. Por, kësaj radhe me shqiptarët e Kosovës.

Lajmin e ka dhënë zv/Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka zhvilluar një takim me teknikun italian. Sikurse e thotë edhe vet Pacolli, De Biasi ka shfaqur interesim për të marrë drejtimin e Kombëtares Kosovare të Futbollit. Ndërsa zv/Kryeministri i Kosovës Pacolli shprehet se do ta bisedojë këtë çështje me Presidentin e Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrrin.

“Me mikun tim Gianin, heroin e gjithë shqiptarëve. De Biasi m’u duk goxha i interesuar për ta drejtuar edhe Kosovën. Do të bisedoj me Vokrrin, ndoshta mund të bëhet diçka e bukur”

, ka shkruar Behgjet Pacolli në Facebook.

Mbetet të presim nëse do të ketë një tratativë serioze për të afruar De Biasin në stolin e Kosovës. /

tvklan.al