Mads Pedersen është fituesi i etapës së parë historike në Shqipëri të Giro d’Italia. Danezi, kampion bote në vitin 2019, triumfoi në fotofinish përballë favoritit Van Aert, me dhjetë çiklistë që shënuan kohën 3 orë 36 minuta e 24 sekonda.

Mes entuziazmit të tifozëve, ai hipi në shkallën më të lart të podiumit, duke veshur i pari bluzën rozë.

Festa filloi pas mesditës së kësaj të premteje në Durrës, aty ku startoi etapa 164 km e gjatë, pjesë e Nisjes së Madhe nga Shqipëria. Vendi ynë mahniti edhe favoritin për fitimin e Giro-s, sllovenin Primozh Rogliç.

“Po e shijoj dhe po më pëlqen shumë. Është interesante të zbuloj vende dhe kultura të reja. Ndihem mirë këtu”, tha Rogliç.

E vetmja notë negative e etapës së parë ishte aksidenti Mikel Landas, i cili nuk llogariti trajektoren e kthesës dhe pësoi lëndime të shumta. Spanjolli u transportua me barrelë dhe u tërhoq nga gara.

Në finish entuziazmi ishte i pabesueshëm. Mijëra spektatorë , shqiptarë dhe shumë turistë, brohoritën çiklistët.

“Jam nga Greqia, erdhëm për të vizituar vendin tuaj dhe shfrytëzuam mundësinë të shikojmë Xhiron e Italisë. E dua Shqipërinë”, tha vizitorja.

“Jam tifoz i madh i Xhiros, erdhëm posaçërisht nga Italia për të parë Nisjen nga Shqipëria. Është shumë bukur, Tirana është një qytet i bukur”, u shpreh vizitori.

Tv Klan