Nga data 8 Maj deri më datë 11 Maj, qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora do të përfshihen në bllokime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në kuadër të masave për zhvillimin e një prej 3 garave më të mëdha çiklistike në botë, Giro d’Italia 2025.

Altin Qato, drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore shpalosi planin e uniformave blu, për secilën nga etapat e kësaj gare. E para nis në 9 Maj në Durrës dhe përfundon në Tiranë.

“Bllokimi i përkohshëm i akseve rrugore që përfshihen në itinerarin e garës për secilën etapë, sipas një raporti teknik të miratuar më parë nga organizatorët e garës, e cila parashikon që këto dy akse (duhen të jenë të lira jo më pak se 2 orë para se të nis gara), si më poshtë: Durrës–Elbasan–Tiranë (Etapa e parë, më datë 09.05.2025). Gara fillon në orën 13:10, në Durrës dhe përfundon në orën 17:30, në Tiranë”, tha Qato.

Etapa e dytë e kësaj gare në 10 maj do të shtrihet vetëm në kryeqytet, ku për shkak të bllokimit të qarkullimit në disa prej akseve kryesore, lëvizja e automjeteve do të devijohet në rrugë alternative.

“TIRANË-TIRANË  (Etapa e II-të, më datë 10.05.2025), garë kronometrike. Nga ora 08:00 deri në orën 11:00 do të jetë lëvizje kufizuar dhe nuk do të lejohen parkime. Ndalimin e qarkullimit të automjeteve, me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, nga ora 10:00 deri në orën 18:00 të datës 10.05.2025, në gjithë itinerarin e etapës së dytë”, tha Qato.

Ndërkohë dita e fundit e zhvillimit të kësaj gare do të mbahet më 11 Maj, në qytetin e Vlorës, ku sërish do të ketë akse të cilat do të bllokohen në intervale të caktuara kohore.

“Nga ora 11:00 deri në orën 14:00, dhe nga ora 15:00 deri në orën 19:30 do të jenë të bllokuara nga Rrapi – Lungomare-bulevardi kryesor “Ismail Qemali” deri te shkolla “Ali Demi””, tha Qato.

Duke qenë se zhvillimi i kësaj gare është në ditët kur në Shqipëri zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare 2025, drejtori i policisë rrugore tha se janë marrë të gjitha masat që gjithçka të vijojë normalisht.

Për të garantuar këtë, vetëm për garën çiklistike në 3 ditë do të jenë të angazhuar rreth 3500 efektivë të policisë së shtetit dhe asaj bashkiake në qarqet ku zhvillohet.

Tv Klan